Rreth 200 mijë shpendë që rriteshin në pularitë Reas dhe Ovital dyshohet se kanë ngordhur për shkak të sëmundjes së laringo-trakeitit infektiv.
Deri në daljen e rezultateve laboratorike, kompanitë Reas dhe Ovital janë karantinuar, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se sëmundja nuk transmetohet nga shpendët te njerëzit.
Por pse ky virus shpërtheu vetëm në këto dy pulari?
KAPLLAN SULAJDEKAN, FAKULTETI I BIOTEKNOLOGJISE DHE USHQIMIT
“Natyrisht që ka pasur një shkak pse ky virus ka shpërthyer. Mund të jetë një infeksion i marrë nga jashtë. Në popullatat e mëdha të shpendëve, fenomeni është më i dukshëm. Ka standarde të BE që përcaktojnë numrin e krerëve për njësi sipërfaqeje. Nuk jam i informuar nëse ky standard zbatohet. Shkaqet janë të ndryshme, mund të jetë një individ i futur në kapanon që mund të ketë qenë i infektuar, mund të jetë ushqimi. Po ashtu infeksioni mund të futet edhe nga mjete të tjera, nga kafshë, shpendë, insekte.”
Po ashtu, ekspertët flasin për një vaksinë që mbron shpendët nga virusi, që në këtë rast, kompanitë Reas dhe Ovital dyshohet se nuk e kanë aplikuar.
KAPLLAN SULAJDEKAN, FAKULTETI I BIOTEKNOLOGJISE DHE USHQIMIT
“Për të parandaluar infeksionin sot përdoren edhe mjete të tjera siç janë vaksinimet. Kemi një vaksinë që përdoret edhe për këtë virus. Kjo vaksinë nuk është aplikuar sepse kërkohen disa seanca aplikimi. Duhen disa vaksina në seri dhe duhen gjetur vaksinat sipas shtameve qarkullues. Sot ka vaksina për këtë virus që janë mjaft efektive. Mungesa e vaksinimit bën që shpendët të infektohen. Nëse ato vaksinohen, imuniteti që arrihet, është i lartë.”
Nga ana tjetër, sipas ekspertëve, konsumtatorët nuk duhet të përfshihen nga paniku sepse rreziku i infektimit të tyre nga kjo sëmundje nuk ekziston. Por në çdo rast, mishi dhe vezët e kontaminuara nuk duhet të konsumohen dhe këto produkte duhet të asgjësohen.