Nga Hoxhë Justinian Topulli
Nën kujdesin e Ligës së Botës Islame, me qendër në Mekë, në maj të vitit 2019 zhvillohet një konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e shumë dijetarëve, organizatave fetare dhe shteteve përfaqësuese, siç thuhet në preambulën e kësaj Karte. Karta në fjalë e merr premisën e saj nga “Karta e Medinës”, me të cilën Profeti (alejhi salatu ue selam) vendosi një marrëveshje bashkëjetese me banorët jomusliman të Medinës. Ndërkohë “Karta e Mekës” është një dokument ku vetë muslimanët shprehen për gatishmërinë e tyre për të jetuar në paqe, mirëkuptim dhe bashkëpunim me interes reciprok me të tjerët, pavarësisht fesë apo besimit që ata i përkasin. Ndër të tjera në këtë kartë përmendet edhe dialogu ndërqytetërimor dhe ai ndërfetar.Po kjo ligë në një nga vendimet e Këshillit themelues të saj, në sesionin e saj të 18-të të vitit 1396 h. (1976 e.s) në pikën e 19-të përcakton kriteret që duhen pasur në dialogun ndërfetar, ku në të thuhet:“Këshilli mori në studim ftesën që iu drejtua sekretarisë së përgjithshme për pjesëmarrjen në konferencën mes Krishterimit dhe Islamit, të organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave në Gjenevë në Janar të 1977 (në fakt në tetor të 1976 sh. përkth.) dhe vendosi: 1. Pranimin e pjesëmarrjes në këtë konferencë dhe në konferenca të ngjashme, me kushtin që qëllimi në këtë pjesëmarrje të jetë sqarimi i së vërtetës me të cilën Allahu dërgoi Profetin e Tij Muhamedin (alejhi salatu ue selam), dhe zhvlerësimin (butlan) e çdo feje tjetër.2. Liga duhet të përfaqësohet nga dijetarë të specializuar për temat e shtruara në agjendat e konferencave.”
Po nga dijetarët e vendit ku u nënshkrua “Karta e Mekës”, nga Këshilli i Përhershëm i Fetvasë, në fetvanë nr. 19402 të vitit 1997, ndër të tjera thuhet: “Nuk i lejohet muslimanit që t’i përgjigjet ftesës për ndërtimin e xhamisë, kishës dhe sinagogës, në një kompleks të vetëm, sepse kjo është pranim i adhurimit të Allahut përmes një feje tjetër veç Islamit dhe mohim i superioritetit të tij ndaj të gjitha feve dhe një ftesë e materializuar për tek të tria fetë, ku banorët e tokës mund të besojnë cilën të duan dhe se këto fe janë të barabarta dhe se Islami nuk është shfuqizues i feve para tij. S’ka dyshim se miratimi ose bindja ose pëlqimi i kësaj gjëje është kufr dhe humbje (dalalet), sepse bie ndesh në mënyrë të qartë me Kuranin fisnik, Sunnetin e kulluar dhe konsensusin (ixhma) e muslimanëve dhe është pranim se devijimet e judenjve dhe të krishterëve vijnë nga Allahu. Larg kësaj të mete është Allahu i Madhëruar!”
Ky sqarim dhe shpjegim bën më të qartë se çfarë nënkuptohet me dialog ndërfetar dhe cilat janë kriteret dhe limitet e tij, përndryshe organizatorët e nënshkrimit të “Kartës së Mekës” do të ishin kontradiktor me frymën dhe vendimet e të njëjtit institucion.
Dialogu me besimtarët e feve të tjera është një praktikë që është vënë në jetë nga vetë Profeti i Allahut dhe është urdhëruar prej Tij, madje janë vënë edhe piketat e tij fetare sesi ai duhet të zhvillohet, dhe këtu në thelb nuk ka asgjë që bie ndesh me Fenë Islame, përkundrazi. Ajo që është shqetësuese në kohën tonë është se shpesh këto projektet e dialogut ndërfetar bëhen nga njerëz jokompetent, që nuk njohin mirë Islamin dhe doktrinën e tij dhe që dashur padashur bien në pozita të papëlqyeshme fetare, në gjëra që Islami nuk i miraton dhe i refuzon kategorikisht.
Dialogu mes ithtarët e besimeve të tjera fetare nuk ka absolutisht nevojë për projekte të tilla si “Shtëpia e Njëshit. Tre fe nën një çati.” Një kishë, një xhami dhe një sinagogë në të njëjtën godinë apo kompleks, duke shprehur përmes emrit edhe qëllimin e këtij projekti. Le të ndalemi pak këtu. “Njëshi” në këtë rast sigurisht që nënkupton Zotin, por mund të nënkuptojë edhe një botë, një fe, një paraardhës, një qëllim, një përfundim, etj. A besohet Zoti nga të tria këto fe njëlloj dhe a e pranojnë këto fe njëra-tjetrën si shpëtimtare në botën tjetër? Sigurisht që jo. Atëherë tre fe nën një çati, dhe simbolika që kjo përçon, nëse nuk është sinkretizëm është hipokrizi. A thua vallë ajo çfarë na bashkon ne si muslimanë me të tjerët fetarisht është më e madhe dhe e rëndësishme sesa ajo që na ndan? Përgjigja ndaj kësaj pyetje duhet orientuar pikërisht tek e Vërteta, sepse më të madhe dhe të rëndësishme sesa e Vërteta për fenë, nuk mund të ketë në këtë botë dhe as në tjetrën. Dhe në varësi të përgjigjes ndaj kësaj pyetje kuptohet dhe se me kë kemi të bëjmë në rastin konkret.
Problemi është më i thellë sesa dekori me të cilën shfaqet ky projekt. Gyleni, ithtarët e të cilit janë përfshirë në këtë projekt, qoftë edhe duke e përshëndetur atë përmes KMSH, beson se:
“Gjithkush duhet të rishikojë edhe njëherë dhe të rregullojë këndvështrimin e tij në lidhje me çka e rrethon duke u bazuar në fjalën e Teuhidit. Madje duhet të shihen me syrin e rahmetit (mëshirës) edhe ata që e pranojnë shehadetin pa pjesën e tij të dytë, pra edhe pa pranuar pjesën Muhammedun Resulull-llah.” (Fethullah Gülen, Küresel Barışa Doğru (Drejt Paqes Universale), fq. 131.)
“Kurani bën vazhdimisht thirrje që të mos bëjmë për zota njëri-tjetrin, krahas Allahut. Vini re, në këtë mesazh nuk përmendet pjesa Muhammedun Resulull-llah”. (Fethullah Gülen, Hoşgörü ve Diyalog İklimi (Klima e Tolerancës dhe Dialogut), fq. 241.)
Ndërkohë kjo qasje heretike skandaloze e Gylenit ndaj pjesës së dytë themelore të Shehadetit, përçohet nga një prej ithtarëve dhe njerëzve të tij më të afërm, Ahmed Şahin, në këtë mënyrë:
“Me rëndësi është besimi në fjalën e Teuhidit (la ilahe il-lall-llah), ndërsa pranimi dhe besimi i Hz. Muhammedit si i Dërguar nuk është kusht i besimit, por një shkallë plotësuese e tij.” (Ahmet Şahin, Gazeta Zaman, 17 Prill 2000.)
Nuk është çudi që edhe ndjekësit e Gylenit të përfshirë në projektin e Berlinit, të kenë të njëjtën qasje, e ndoshta edhe këta në Shqipëri, përndryshe do të duhet ta përgënjshtrojnë Imamin e tyre dhe të distancohen prej tij nga një besim i tillë heretik. Por kryesia e KMSH sonë e mban hundën shumë përpjetë për të pranuar të ulet e të sqarohet dhe konsultohet e madje të debatoj me hoxhallarët e saj, që janë më të mëdhenjë në moshë e më të ditur se ajo, sepse duket që direktivat i merr nga tjetër kund, por edhe vërbëria sektare dhe arroganca e prepotenca dhe autoriteti falso, që të jep karrigia e drejtimit të KMSH-së e mosha e re që kanë, e bëjnë atipike lidershipin e saj ndoshta në gjithë botën islame.
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



