Skip to content

KAS nuk pranoi emrin e Berishës në fletën e votimit/ Garo: Me urdhër nga Rama, 4 ‘mercenarët’ e tij vranë parimin e zgjedhjeve të lira, u frikësuan nga fitorja e opozitës




Zëdhënësja e PD, Floriana Garo në një deklaratë për mediat tha se me urdhër të kryeministrit Edi Ramës, ‘mercenarët’ e tij morën vendimin e “turpshëm në emër të KAS për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.


Garo tha se me qëllimin e vetëm për të trembur opozitën, katër mercenarët provuan se janë ‘vrasës të parimeve themelore të zgjedhjeve të lira’, pasi i kanë hequr të drejtën opozitare për të zgjedhur.
Sakaq shtoi se ‘Duke ndjekur urdhrin dhe gjuhën që e përdorin përditë Rama dhe Brava-Alibashët, të tmerruar nga fitorja e opozitës, besojnë se, me një vendim të tillë mund t’i pengojnë ata. Përpjekja për të minimizuar staturën e drejtuesit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, z.Sali Berisha, është asgjë më shumë sesa mjerimi i radhës”.

Deklarata e plotë:

Ilir Rusmali, Elvin Lako, Koli Bele dhe Ledio Braho, katër mercenarë në oborrin e Ramës me qëllim trembjen e opozitës, kanë marrë një vendim në emër të KAS, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, që turpëron edhe letrën ku është hedhur. Ata provuan se ata janë vrasës të parimeve themelore të zgjedhjeve të lira. Ata i janë kthyer me një “Jo” absurde, kërkesës legjitime dhe sovrane të n/Kryetarit të Partisë së Lirisë, z. Endrit Braimllari, në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që drejtues i koalicionit të ishte z. Sali Berisha.

Me urdhër të Edi Ramës, në dhunim të parimeve më themelore kushtetuese e demokratike, u heqin partive opozitare të drejtën për ta zgjedhur. Sipas tyre, atë duhet t’ua caktojë padroni i tyre, Edi Rama. Arsyeja e vendimit është e qartë, dhe, nuk është as ligjore, as kushtetuese, as logjike dhe as morale. Duke ndjekur urdhrin dhe gjuhën që e përdorin përditë Rama dhe Brava-Alibashët, të tmerruar nga fitorja e opozitës, besojnë se, me një vendim të tillë mund t’i pengojnë ata. Përpjekja për të minimizuar staturën e drejtuesit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, z.Sali Berisha, është asgjë më shumë sesa mjerimi i radhës. Që nga shtatori i para dy viteve, historia dhe përballja politike direkte, i ka gjykuar burrat dhe i ka provuar udhëheqësit.

Partia Demokratike, në emër të kolaicionit “Bashkë Fitojmë”, e sheh këtë akt të fundit të paligjshmërisë dhe amoralitetit, si një ‘banalitet të së keqes’ që, duke u përsëritur, i bën dëm vetëm vetes. Ne jemi bashkë më 14 maj dhe të vetmin aprovim që kërkojmë janë votat e shqiptarëve. Rama dhe Alibasha, me gjithë mercenarët e tyre, janë e shkuara.
E ardhmja është në duart tuaja. Bashkë Fitojmë!

“”