Vendimi i KAS për Skënderbeun del po nuk e favorizon aspak klubin korçar dhe i qendron vendimit të marrë nga UEFA. Kështu Skënderbeu do të duhet të vuaj dënimin me 10 vite mospjesëmarrje në Kupat Europiane dhe 1 milionë euro gjobë. Ky vendim fut në vështirësi klubin bardhekuq e tij. Nga komunikimet e fundit, Skënderbeu kishte krijuar pritshmërinë se vendimi do të ishte pozitiv dhe madje kishte nisur një merkato në hije por vendimi tani prish gjthçka. Skënderbeu bëhet shembull i parë në Europë i një revolucioni.  Tani çdo klub mund të dënohet vetëm prej luhatjeve të koeficienteve që do të kapen prej BFDS.

Trupa e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka hedhur poshtë kërkesën e paraqitur nga klubi shqiptar i futbollit, KS Skënderbeu, kundër vendimit të marrë nga Apeli i UEFA-s më 26 prill 2018, që është konfirmuar edhe nga vendimi i marrë më 29 mars 2018 nga UEFA Control, Ethics and Disciplinary Body. Ata arritën në përfundimin se Skënderbeu është përgjegjës për aktivitete manipulimi ndeshjesh dhe u përjashtua nga pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s për 10 vitet e ardhshme, duke u gjobitur me 1 milion euro.

Në maj të vitit 2018, KS Skënderbeu apeloi në CAS për anulimin e sanksionit disiplinor. Arbitrazhi i CAS, me anë të një grupi gjyqtarësh të CAS-it, mbajti një seancë dëgjimore me palët në selinë e CAS-it me datë 16 prill të vitit 2019.

Në bazë të dëshmive që janë në dispozicion, grupi i ekspertëve të CAS-it konstatoi me kënaqësi se KS Skënderbeu ishte përgjegjës për aktivitetin e fiksimit të ndeshjeve dhe arriti në përfundimin se sanksionet e vendosura nga UEFA ishin proporcionale dhe të justifikuara. Rrjedhimisht, CAS-i hodhi poshtë ankesën dhe konfirmoi vendimin.

 

Vendimi është përshëndetur edhe nga qeveria e futbollit europian që ndihet mirë që në KAS ka qëndruar vendimi i marrë prej saj pa asnjë ndërhyrje. Madje e quan KAS një aleat në luftën nga trukimit të ndeshjeve.

“UEFA e mirëpret vendimin e KAS-it për çështjen “Skënderbeu”. Pranojmë vendimin e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv për dënimin e KS Skënderbeut. Ky është një konfirmim i mëtejshëm i besueshmërisë së sistemit të zbulimit të mashtrimeve, në identifikimin e modeleve të basteve dhe fiksimit të rezultatit në ndeshjet europiane dhe vendase.

Me këtë vendim, KAS-i tregon dhe njëherë tjetër iniciativën dhe përpjekjen për të vendosur rregull dhe për të pastruar futbollin. UEFA BFDS, në bashkëpunim me Sportradar, kanë marrë informacionet e duhura në lidhje me këtë çështje dhe kanë vepruar me konfirmim absolut në lidhje me akuzën.

BFDS u krijuar në vitin 2009 për shkak të kërcënimit në rrije të manipulimit të ndeshjeve. Roli i saj është të nxjerrë në pah lëvizjet e parregulta të koefiçentëve, si para ndeshjes, ashtu dhe gjatë saj (LIVE). Ky ishte një hap tjetër në rrugën që kemi nisur për të eliminuar çdo kërcënim që vjen nga manipulimi i ndeshjeve”.

 

Ndërkohë një ditë pas vendimit ka ardhur edhe reagimi i klubit që e quan tendencioz procesin por edhe vendimin që ka qënë i paragjykuar nga fillimi.

– REAGIM –

Pasi jemi njohur me përmbajtjen e buletinit mediatik të CAS, datë 12.07.2019, lidhur me ankimin e bërë nga KF Skënderbeu kundër vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, ndiejmë detyrimin ndaj sportdashësve dhe qytetarëve të Korçës për të qënë sa më transparent ne lidhje me hapat e metejshëm të cilat do të ndiqen për rivendosjen e të drejtave tona të dhunuara barbarisht nga sistemi i drejtësisë sportive.

Së pari, vendimi i CAS në formën e tij të plotë dhe integral nuk i është komunikuar ende KF Skënderbeut, veprim i cili nën dritën e ngjarjeve të ndodhura, nuk është më i dyshimtë. Kjo pasi i gjithe proçesi ndaj klubit tonë ka qënë i paragjykuar, i njëanshem dhe i paracaktuar që prej vitit 2016.

Nuk mundet të mos jetë i paragjykuar një proçes ku KF Skënderbeu është dënuar në bazë të gjoja përceptimit publik të klubit dhe të personave lidhur me të, përceptim të cilin institucioni i UEFA’s, veçanërisht inspektorët e lidhur me çështjen kanë tentuar të krijojnë, përmes metodave dhe formave nga më të paskrupullta. Në lidhje me këtë, është e rastit të përmendet se ndaj inpektorëve të UEFA’s përgjegjës për hartimin e raporteve kundër klubit tonë, konkretisht Z. Dhont dhe Z. Lietard, aktualisht, ekzistojnë padi penale dhe civile për shpifje në organet kompetente Zvicerane.

Nuk mund të mos jetë i njëanshëm një proçes i cili mbështetet mbi raporte të cilat nuk kane asnjë bazë të provuar shkencore dhe të cilat nuk kanë të bëjnë fare me analiza të mirëfillta sportive. Është e papranueshme që CAS të marrë si të mirëqëna raportet e BFDS, sistem për të cilin askush nuk ka dijeni si funksionon, përfshirë edhe CAS-in. Është e papranueshme që CAS të mos marrë në konsideratë raportet shkencore të ekspertëve të basteve sportive dhe të ekspertëve sportiv të KF Skënderbeut, të cilët në mënyrë metodike dhe shkencore kane hedhur poshtë çdo argument të ngritur nga UEFA. Mbi të gjitha, është e papranueshme që të mos merren në konsiderate mbi 50 kundër-prova të paraqitura nga pala jonë, kur nga ana tjetër, e gjithë strategjia e inspektorëve të UEFA’s mbështetej mbi dëshmi personash anonim (as identiteti i tyre nuk na është bërë i ditur) ose personash të cilët kanë konflikt të hapur interesi në lidhje me proçesin.

Nuk mund të mos jetë i paracaktuar një vendim për të cilin vendimmarrës janë njerez me lidhje direkte ose indirekte me palën akuzuese. Në lidhje me këtë, KF Skënderbeu kishte bërë kërkesë për perjashtimin e kryetarit të trupës arbitrale, i cili, në mënyre të shprehur kundershtonte kerkesën tonë, në një kohë kur detyrimi i tij deontologjik është terheqja nga gjykimi i çështjes në rast të kërkimit të argumentuar të njërës prej palëve. Është e qartë që emerimi i ketij personi ka qënë në funksion të mbrojtjes së interesave të inspektorëve të UEFA’s dhe personave të lidhur më këtë institucion. Në kushtet kur 2 nga 3 arbitrat e çështjes kanë qënë të mandatuar për të mbrojtur njërën palë, i vetmi konkluzion logjik është parapërcaktimi i rezultatit final.

Sot mund të themi me sigurinë e plotë se sistemi i drejtësisë sportive i ngritur dhe i mbrojtur me fanatizëm nga federatat ndërkombëtare është një fasade dhe mburojë e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar që egziston brënda institucioneve të qeverisjes sportive.

Në keto kushte, me vetëdijen që beteja ligjore në këtë sistem drejtësie është e kotë, bëjmë me dije se, pas konsultimit me perfaqesuesit tanë ligjore, brënda muajit Korrik 2019, KF Skënderbeu do të paraqesë rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019. Duke qënë të bindur mbi pafajësine tonë, ruajmë besimin se e drejta do të vihet në vënd.

Së fundmi, bëjmë me dije sportdashësit dhe mbështetësit tanë se KF Skënderbeu do të vazhdojë aktivitetin e tij më të njejtin përkushtim, vizion dhe ambicie për të arritur rezultate edhe më të mira se ato të sezoneve të shkuara.

Me Respekt,
KF Skënderbeu

Po ashtu klubi korçar shprehet se do e dërgoj çështjen në Gjykatën Federale Zvicerane për të treguar se kjo sagë do të vazhdoj dhe ende nuk kemi një vendim final./Berati.TV

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re