Ish-udhëheqësi ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiç, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm në Hagë pasi u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ka kërkuar të lirohet për arsye shëndetësore, duke pretenduar se i kanë mbetur vetëm disa muaj jetë.
Mlladiç, tani mbi 80 vjeç, u dënua përfundimisht në vitin 2021 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, kryesisht për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës, ku forcat serbe të Bosnjës vranë 8,000 burra dhe djem myslimanë në korrik 1995.

Ish-udhëheqësi ushtarak serb i Bosnjës ishte i kërkuar për 16 vjet dhe u arrestua në Serbi në vitin 2011.
Sipas kërkesës së paraqitur nga avokati i tij, ai vuan nga një sëmundje terminale dhe “ka një jetëgjatësi prej disa muajsh”. Të afërmit e tij kanë thënë për vite me radhë se ai është i sëmurë dhe i dobët. Ai gjithashtu kishte kërkuar lirim me kusht në vitin 2017, duke përmendur përsëri arsye shëndetësore.
Avokati i tij deklaron në kërkesën e tij se “megjithëse shërbimi mjekësor i burgut të Kombeve të Bashkuara ngurronte të shprehte me shkrim një vlerësim përfundimtar të jetëgjatësisë së tij, është e pamohueshme që Mlladiç po i afrohet fundit të jetës së tij” dhe po kërkon lirimin e tij “për arsye humanitare”.
Djali i tij, Darko Mladiç, në intervistat e tij të shpeshta me median serbe, flet për shëndetin e dobët të babait të tij.
Disa serbë ende e konsiderojnë Ratko Mladiçin një hero lufte, dhe emri i tij, apo edhe portretet, shpesh shfaqen në muret e kryeqytetit, Beograd. Sipas Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Serbi, më shumë se 250 referenca (portrete ose grafite) të Mladiçit u regjistruan në qytet që nga marsi i vitit 2023. Disa prej tyre, vetëm pak metra nga Sheshi qendror i Republikës, shoqërohen me tabela që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. /tesheshi.com/