Skip to content

Kaska për qytetarët por jo për policët

Rregullat dhe ligjet janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të
gjithë, si për qytetarët ashtu edhe për autoritetet. Por një foto e
dërguar në rubrikën “Kallëzo” pranë redaksisë së tvklan.al, ngre disa pikëpyetje.

Tre motora, dy prej të cilëve në shkelje të rregullave të
qarkullimit rrugor. Njëri nga të dy, i përket Policisë Rrugore, me të cilin po
udhëtojnë dy punonjës policie. Kjo foto është shkrepur në rrugën “Myslym
Shyri” në kryeqytet. Drejtuesi i parë ka zbatuar me përpikmëri rregullat e
qarkullimit, pasi ka vendosur kaskën mbrojtëse.

I dyti është motori i policisë, ku shihet që polici pasagjer është i
pa pajisur me kokoren sikurse e kërkon ligji. E njëjta pamje edhe në
motorin e tretë, ku drejtuesi ka vendosur kaskën kurse pasagjeri jo.

Sipas nenit 160 të Kodit Rrugor, drejtuesit dhe pasagjerët e motorave e kanë të detyrueshme përdorimin e kaskës mbrojtëse.

NENI 169 – PËRDORIMI I KASKËS MBROJTËSE PËR PËRDORUESIT E MJETEVE ME DY RROTA:

1. Eshtë e detyrueshme që gjatë lëvizjes të vihet në kokë një
kaskë mbrojtëse sipas tipit të homologuar, në përputhje me normativat e
përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse për:

a) drejtuesit e çiklomotorëve dhe motorëve me dy rrota;

b) drejtuesit e motorëve të çfarëdo cilindrate, edhe po të jenë
të pajisur me kosh, si dhe për pasagjerët edhe po të jenë në moshë jo
madhore.

2. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë
administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
Kur shkeljen e kryen një pasagjer në moshë jo madhore, përgjegjësinë e
mban drejtuesi i mjetit.

Por kjo është një situatë që e has shpesh në realitetin shqiptar, ku
ata që duhet të jenë të parët në zbatimin e ligjit, shpesh i shpërfillin
vetë këto rregulla. Sa paradoksale dhe e ndershme do të ishte nëse kjo
patrullë e policisë rrugore do të gjobiste dy të rinjtë me motor për
mosvendosjen e kaskës mbrojtëse në rastin e pasagjerit? Përgjigjen po iu
a lëmë juve. /tvklan.al