Regjisori Kastriot Çipi, një njeri i afërt me PD-në, ka reaguar ndaj miqve të tij që kërkonin të mbështetej pa kusht Lulzim Basha deri sa të përfundonin zgjedhjet e 25 prillit.

Ai i pyet ata, se pse nuk reagojnë tani që Basha humbi sërish.

“Deri më 25 prill, disa miq të mi ngulnin këmbë: “Ke të drejtë, Basha i meriton të gjitha kritikat e tua, por nuk kemi zgjidhje tjetër, veç tij, për të larguar Ramën.

Ky është sistemi. O Basha, o Rama do të jetë kryeministri pas 25 prillit. Rrëzojmë një herë Ramën,  se Bashën e rrëzojmë kollaj.”

-Po nëse humb Basha – i pyesja?

-Nëse humb, do ta hamë të gjallë, me gjithë lecka – më përbetoheshin ata…

Madje një pjesë shpreheshin të gatshëm për një parti të re, anti-sistem, por pas zgjedhjeve ama.

“Tani çdo votë për parti të tjera mban Ramën në pushtet.”

Tani këta miq nuk shohin asnjë mëkat te Basha.

Justifikojnë mosdhënien e dorëheqjes. Pranojnë madje edhe farsën e 13 qershorit.

Mesa duket për ta sistemi që kemi qenka perfekt. Thjesht Rama është Djalli, ndërsa Basha është Engjëlli.

Ndërsa unë vazhdoj të them se sistemi është korruptuar me ndryshimet kushtetuese të 2008-s, siç deshën Rama dhe Basha (dhe Berisha).

Tumori duhet hequr me rrënjë”, shkruan ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re