“Autoritetet katalanase nuk do të ndjekin urdhrat e dhëna nga qeveria spanjolle për të rivendosur kontrollin mbi rajonin!”
Deklarata erdhi nga zëdhënësi i çështjeve të jashtme, Raul Romeva, në një interviste me “BBC”. Ai argumentoi se qeveria qendrore po vepronte kundër vullnetit të katalanasve.
Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ka njoftuar se do të shkarkojë qeverinë e rajonit dhe se ka në plan të kufizojë disa nga liritë e parlamentit të saj.
Senati spanjoll pritet të miratojë masat e qeverisë të premten së bashku me një propozim për zgjedhje të reja në Katalonjë.
Situata politike në Spanjë është acaruar edhe më tepër, pasi Madridi zyrtar vendosi të aktivizonte Nenin 155 për sundim të drejtpërdrejtë.
Presidenti katalanas, Carles Puigdemont, ka thënë se rajoni nuk do ta pranojë planin e Madridit, për të imponuar sundimin e drejtpërdrejtë në rajon.
Ai gjithashtu  i ka kërkuar Parlamentit rajonal të mblidhet dhe të veprojë në përputhje me rrethanat.
Puigdemont e ka përshkruar vendimin si sulmin më të keq ndaj institucioneve të Katalonisë, që nga koha e diktaturës së Frankos.
Si arriti situata deri në këtë pikë?
Qeveria rajonale e Katalonjës mbajti një referendum më 1 tetor për të pyetur banorët e rajonit nëse donin të shkëputeshin nga Spanja.
Gati 90% e katalanasve thuhet se votuan në favor të pavarësisë. Por shumë përkrahës kundër pavarësisë dhe qindra policë të dërguar nga Spanja bojkotuan votimin, duke argumentuar se nuk ishte i vlefshëm.
Puigdemont dhe liderët e tjerë rajonalë nënshkruan më pas një deklaratë pavarësie, por e pezulluan menjëherë për të lejuar vazhdimin e bisedimeve me Madridin.
Ditë më vonë, lideri katalas sfidoi dy afate të përcaktuara nga qeveria kombëtare për të qartësuar pozicionin e Katalonjës dhe për të hequr dorë nga pavarësia. s.n
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re