Katari ka dënuar vrasjen e gazetares veterane të Al Jazeera-s gjatë një sulmi të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

E veshur me një jelek që e dallonte si gazetare, reporterja 51-vjeçare e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë u qëllua për vdekje në kokë nga forcat izraelite ndërsa mbulonte një bastisje izraelite në qytetin e Jeninit.

Kolegu i saj Ali Al-Samoudi u qëllua në shpinë dhe tani është në gjendje të qëndrueshme, shtoi ministria.

“Pushtuesit izraelit vranë gazetaren e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, duke e qëlluar në fytyrë teksa mbante jelekun ku shkruhej ‘Press” dhe një helmetë”, shkroi në twitter në anglisht ndihmësministrja e Jashtme e Katarit dhe zëdhënësja Lolwah Alkhater.

Alkhater theksoi se kur ajo u vra, Abu Akleh po mbulonte sulmin izraelit në kampin e refugjatëve në Jenin.

“Terrorizmi izraelit i sponsorizuar nga ky shtet duhet të ndalet, mbështetja e pakushtëzuar ndaj Izraelit duhet të marrë fund”, shtoi ajo.

Ministria e Jashtme e Katarit e cilësoi vrasjen si një “krim të urryer”, një “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar” dhe një “sulm flagrant ndaj lirisë së medias”.

Në një deklaratë, ministria bëri thirrje për “veprim urgjent për të parandaluar autoritetet okupuese të kryejnë shkelje të mëtejshme të lirisë së shprehjes dhe për të marrë të gjitha masat për të ndaluar dhunën kundër palestinezëve dhe punonjësve të medias”.

Më herët të mërkurën, Al Jazeera me qendër në Doha akuzoi Izraelin për vrasjen e qëllimshme të gazetares së tyre “me gjakftohtësi”.

Al Jazeera e quajti vrasjen “krim të urryer që ka qëllim të vetëm ka të pengojë mediat të kryejnë detyrën e tyre”.

Shireen Abu Akleh ka lindur në Kuds në vitin 1971 dhe ishte diplomuar për degën Gazetari dhe Media në Universitetin Yarmouk në Jordani.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re