Qeveria e Katarit ka miratuar një grant prej 11 milionë euro për Bashkisë së Tiranës që do të shkojnë për ndërtimin e sheshit fundor në Bulevardin e Ri.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë takimit me ambasadorin e Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al-Marri, u shpreh se në këtë shesh është projektuar të ndërtohet bashkia e re e Tiranës.

Gjithashtu theksoi se është parashikuar të kalojnë gjykatat e prokuroritë.

“Sot kemi marrë një super lajm të mirë nga nga Katari, për të cilin i shpreh mirënjohjen time Emirit të Katarit, Shkëlqesisë së tij Al Thani, por edhe mikut tonë, ambasadorit Al Marri. Qeveria e Katarit na ka akorduar një grant prej 11 milionë eurosh për sheshin përfundimtar te “Bulevardi i Ri”, një shesh që do të jetë një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë së Katarit, i projektuar nga studio Grimshaë, që mbyll në mënyrë solemne “Bulevardin e Ri”, aty ku ndahemi me Kamzën. Jam vërtet shumë Mirënjohës sepse është një projekt që ka nevojë për atë që quhet ‘qershia mbi tortë’, për një mbyllje ceremoniale”, tha Veliaj.

Ndërsa më pas shtoi: “Besoj fort se do të lemë një shenjë që do të jetë aty përtej mandateve tona. Ndaj, ju jam vërtet shumë mirënjohës, Emirit të Katarit, Fondit të Katarit për Zhvillim dhe gjithë miqve të përbashkët. Ashtu siç kemi bërë punë cilësore për shkollat dhe për kopshtet, më vjen mirë që do të kemi vërtet një punë monumentale në Bulevardin e ri të Tiranës, ku praktikisht do të marrë formë Tirana e 100 viteve që vijnë. Aty kemi parashikuar të ndërtojmë bashkinë e re, kemi parashikuar të kalojnë gjykatat, Prokuroria dhe disa nga ndërtesat e rëndësishme si Pallati i ri Koncerteve, apo Muzeu i Artit Modern, dhe mbyllja me atë shesh spektakolar të Katarit besoj se do të jetë vërtet përgjigja e merituar për të gjithë këtë përpjekje të përbashkët për Tiranën, që ecën përpara dhe që modernizohet përditë.”

Sheshi i ri do ndërtohet në pjesën fundore të Bulevardit të Ri, përgjatë Lumit të Tiranës.

Sipas projektit, aty do të ketë disa hapësira pedonale për qytetarët, si edhe do krijohen parqe në të dyja anët e lumit dhe hapësira argëtuese për fëmijët dhe të rriturit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re