Tre fëmijë ukrainas që u dërguan në Rusi do t’u dorëzohen diplomatëve të Katarit në Moskë këtë javë si pjesë e një mekanizmi të krijuar nga Doha për të kthyer sa më shumë fëmijë nga Rusia në Ukrainë, tha një diplomat katarian i njohur me planet për Reuters.

Të premten, Katari ndihmoi në kthimin e një fëmije tjetër shtatëvjeçar ukrainas, i cili u kthye te gjyshja e tij dhe është rrugës për në Ukrainë nëpërmjet Estonisë, sipas një zyrtari. Tre fëmijët e lartpërmendur janë djem dy dhe nëntë vjeç dhe një vajzë 17 vjeç.

Kievi zyrtar ka identifikuar 20,000 fëmijë që u dërguan në Rusi ose në territoret e Ukrainës të kontrolluara nga forcat ruse pa lejen e familjeve apo kujdestarëve të tyre.

Kthimi i këtyre katër fëmijëve është një test i sistemit që shteti i Gjirit vendosi pas muajsh bisedimesh sekrete me Moskën dhe Kievin, sipas një zyrtari të Kievit, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së procesit.

“Vetëm hapi i parë”

Ministrja e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Katarit, Lolwah Al Khater, konfirmoi rolin ndërmjetësues të vendit të tij dhe deklaroi riatdhesimet e kësaj jave si “vetëm hapin e parë”.

Komisionerja ruse për të drejtat e njeriut Maria Lvova-Belovva ndau një listë të shkurtër fillestare të fëmijëve ukrainas që do të ktheheshin me një ekip diplomatësh të Katarit që verifikuan identitetin e secilit fëmijë, sipas zyrtarit.

Reuters raporton se nuk është e qartë se sa fëmijë të tjerë do të miratojnë autoritetet ruse të kthehen në Ukrainë përmes mekanizmit të Katarit pas katër fillestarëve, shtoi zyrtari i paidentifikuar.

Përafërsisht 400 fëmijë janë kthyer në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, por agjencia e OKB-së për të drejtat e njeriut paralajmëron se nuk ka asnjë sistem për të përshpejtuar dhe mbështetur kthimin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re