Autoritetet e Katarit kanë miratuar ndihmë të re financiare për enklavën e bllokuar palestineze Gaza me vlerë prej 360 milionë dollarë.
Agjencia e Lajmeve e Katarit (QNA) raporton se ndihma u sigurua nga direktiva e Emirit të Katarit, Shejh Tamim bin Hamad Al-Thani, i cili kështu dëshiron të ndihmojë palestinezët që jetojnë në kushte të vështira nën bllokadën izraelite.
Në raportim thuhet se ndihma financiare e siguruar do t’u dorëzohet autoriteteve të Gazës gjatë këtij viti dhe se pagesa e këstit të parë prej 60 milionë dollarësh pritet në ditët në vijim.
Ndihma do të përdoret për të paguar pagat e zyrtarëve në Gaza, për të ndihmuar të varfërit dhe për të drejtuar termocentralet në rajonin palestinez.
Rreth dy milionë palestinezë jetojnë në Gaza dhe ai rajon ka qenë nën një bllokadë të plotë tokësore, ajrore dhe detare nga Izraeli që nga viti 2006.
