Katër muaj më parë Adriatik Llalla ishte numri një i akuzës në Shqipëri, njeriu që kishte në duar goditjen e kriminelëve dhe abuzuesve në të gjitha nivelet.

 

Sot, ish prokurori i përgjithshëm i është bashkuar atyre që deri dje i dërgonte në bankën e të akuzuarve.

 

Adriatik Llalla po hetohet për katër akuza nga Prokuroria e Durrësit. Organi i akuzës në qytetin bregdetar konfirmoi për Vizion Plus, nisjen e procedimit penal ndaj Llallës në datën 15 mars 2018.

 

Dosja mban numrin 447 dhe veprat penale që rëndojnë mbi ish kryeprokurorin janë: Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë, mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi, pastrimit i produkteve të veprës penale, si dhe shpërdorim detyre.

 

Ndër katër akuzat bie në sy ajo e kalimit në kufi të shumave monetare më shumë sesa e lejon ligji. Aktualisht çdo shtetas duhet të deklarojë nëse ka me vete mbi 10 mijë euro, e në rastin në fjalë duket se Llalla ka patur më shumë se kaq. Por nuk dihet ende zbulimi i kësaj shkeljeje, është bërë në Shqipëri apo në pikat kufitare të ndonjë shteti të huaj.

 

Llalla po ashtu është akuzuar edhe publikisht për pasuritë e shumta të krijuara në një kohë të shkurtër si dhe për transaksionet që ka kryer duke rritur vlerën e tyre: një mekanizëm ky i njohur në skemat e pastrimit të parave.

 

Adriatik Llallës i mbaroi mandati në 12 dhjetor 2017. Në fillim të këtij viti ai paraqiti dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, vendim që u pasua me ndërprerjen e vetingut. Por duket se çështja e vetingut për Llallën është ende e hapur pasi është ankoruar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

 

Llalla është i vetmi zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, i cili është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re