Incidentet u regjistruan në 10 ditët e fundit në tre qytete dhe analizat tregojnë se ekziston një burim i përbashkët.
Autoritetet belge po hetojnë origjinën e një infeksioni Escherichia coli, i dyshuar si përgjegjës për vdekjen e katër të moshuarve në një azil pleqsh, tha të enjten Shërbimi Shëndetësor dhe Social Flaman.
Një total prej 20 personash janë sëmurë që nga 18 gushti në gjashtë azile pleqsh në Flandër. Autoritetet po hetojnë mundësinë që infeksioni të jetë i lidhur me ushqimin e tyre.
Një zëdhënës i agjencisë shpjegoi se këta persona kishin edhe sëmundje të tjera themelore dhe për këtë arsye “aktualisht është e pamundur të thuhet nëse bakteret shkaktuan vdekjet e tyre apo i përshpejtuan ato”.
Autoritetet shëndetësore thanë se hetimi mbi origjinën e shpërthimit po përqendrohet në kompanitë që furnizojnë me ushqim gjashtë azilet e pleqëve, në periferi të Leuven, Aalst dhe Antwerp. Testet laboratorike tregojnë se i njëjti lloj bakteri është përgjegjës për të gjitha infeksionet, “gjë që tregon një burim të përbashkët”, theksuan Shërbimi Shëndetësor Flaman dhe Agjencia Federale për Sigurinë e Zinxhirit Ushqimor (AFSCA) në deklaratën e tyre të përbashkët.
Infeksioni Escherichia coli mund të jetë asimptomatik ose të shkaktojë diarre dhe simptoma të tjera të ngjashme me gastroenteritin (të përziera, të vjella dhe madje edhe dhimbje koke). Shpesh shoqërohet me konsumimin e ushqimeve të kontaminuara ose të papërpunuara, siç janë mishi, perimet, djathi dhe qumështi. Transmetimi nga njeriu te njeriu është i mundur, por shumë i rrallë.
Në azilet e pleqve, banorët me simptoma izolohen nga të tjerët.
