Nënkryetarja socialiste e Kuvendit, Ermonela Felaj është vënë sërish në qendër të vëmendjes për shkak se katër familjarë të saj janë emëruar, ose presin të emërohen në sistemin e ri të drejtësisë.
Kështu pas bashkëshortit, prokuror, në sistemin e ri të Drejtësisë janë emëruar edhe vëllai i saj Armando Felaj me bashkëshorten e tij Alma Felaj, ndërkohë që pret të emërohet edhe motra e deputetes socialiste Eranda Felaj.
Këto emërime u bënë pas ndryshimit të ligjit të vitit 2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vetëm tre vjet më vonë në korrik 2019. Pak muaj pas djegies së mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, ata që zunë vendet më pas, bashkuan votat me PS-në për të ndryshuar një sërë ligjesh të reformës në drejtësi, mes të cilin edhe ligjin që i mundësonte Ermonela Felajt emërimin e katër të afërmve të saj në sistem.
BalkanWeb konsultoi me juristë të fushës ndryshimin e nenit 8 të ligjit të vitit 2016, i cili qëllimisht parashikonte ndalimin e emërimeve në sistemin e drejtësisë, të të afërmve, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurës Civile.
“Këshillat marrin masa për të shmangur papajtueshmërinë ambientale që krijohet për shkak të lidhjeve të ngushta familjare mes magjistratëve, që janë përkatësisht bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, ose persona të tjerë në lidhje të ngushtë nga gjaku ose me ligj, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile”, thuhej në pikën 1 të nenit 8 të ligjit të vitit 2016.
Por tre vjet më vonë falë edhe votave të deputetëve që plotësuan vendet bosh të opozitës, ky nen u ndryshua duke hequr referimin te Kodi i Procedurës Civile, e për rrjedhojë ndalimin e emërimeve të atyre që kanë lidhje krushqie.
“Papajtueshmëria ambientale, në kuptimin e këtij neni, krijohet për shkak të lidhjeve të ngushta familjare mes magjistratëve, që janë përkatësisht bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë”, thuhet në nenin e ndryshuar të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Pas këtij ndryshimi, u është hapur rruga edhe emërimeve me lidhje të afërta krushqie, mes të tjerash edhe lidhja e bashkëshortit të Ermonela Felajt me kunatin dhe kunatën e tij.