Subscribe

Hetimet e deritanishme për grabitjen e argjendarisë në Kamëz tregojnë se agresorët kishin planifikuar gjithçka për krimin e tyre.

 

Pjesë e bandës ishin 4 persona të armatosur, që sipas pronares së biznesit, arritën të marrin mbi 1.5 kg flori, një sasi kjo ende e pakonfirmuar nga policia.

 

Kamerat e sigurisë tregojnë autorët që zbresin nga makina dhe futen brenda biznesit. 3 prej tyre kryen grabitjen, ndërsa personi tjetër ishte në rolin e shoferit në një makinë tip “BMW”, e cila më pas rezultoi se ishte me targa të vjedhura.

 

Agresorët që janë futur brenda argjendarisë mbanin maska farmaceutike në fytyrë për t’iu shmangur identifikimit. Ata kërcënuan pronaren dhe nusen e djalit të saj. Pasi janë përleshur me gruan, njëri nga autorët i cili kishte një send të fortë ka thyer xhamat e vitrinës, ndërsa tjetri ka arritur që t’i grumbullojë sendet me vlerë në një qese plastike.

 

Dinamika e ngjarjes është rrëfyer në polici edhe nga vetë pronarët pas marrjes në pyetje nga hetuesit.

 

Policia po vijon kqyrjen e kamerave të tjera të sigurisë për të parë drejtimin që kanë marrë autorët pas grabitjes. Ende nuk është e qartë nëse ata janë larguar drejt Durrësit apo Fushë-Krujës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re