Flet gazetarja dhe analistja, Mimoza Koçiu
Ndërkohë që koha po kalon dhe dita e zgjedhjeve po afrohet, zgjidhja e krizës nuk duket e afërt. Ekziston mendimi se vendi mund të shkojë në një konfrontim civil? Ju si e vlerësoni situatën dhe a rrezikojmë vërtet një përplasje?
Është një panoramë që nuk do doja në asnjë rast ta shihja! Nuk e shoh dot si mënyrën për t’u marrë vesh në vitin 2019. Janë të njëjtët aktorë politikë që e kanë gjetur gjuhën shpesh në këto 30 vjet demokraci, edhe për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të përsëritur. Pra, mund ta gjejnë edhe këtë herë! Nga ana tjetër, nuk përjashtoj që kokëfortësia e kryeministrit, e mbështetur nga fuqia e numrave e pushtetit, të nxisë aktorët opozitarë të mbështesin konfrontimin civil. Por në këtë rast, pyetja është: kush e mban përgjegjësinë që në vitin 2019, dialogu politik, një praktikë e përdorur shpesh në 30 vjet nga çdo kryeministër me opozitën, zëvendësohet me konfrontimin civil?
Ajo që bën përshtypje në këtë krizë është mungesa e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Si e shihni ju këtë qasje të të huajve ndaj krizës politike në vend? Vërtet duan ata që ta lënë zgjidhjen në duart e shqiptarëve?
Padyshim që bie në sy se për herë të parë në 30 vjet, faktori ndërkombëtar e ka zgjedhje mosndërhyrjen. Përtej mungesës së kuptueshme të vëmendjes për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Europian, mendoj se ky është një ndëshkim për Lulzim Bashën, i cili me naivitet politik, i hodhi poshtë si pa të keq përpjekjet e BE e SHBA në 2017 për një marrëveshje mes palëve. Shpenzuan kohë me vajtje-ardhje e telefonata me Tiranën, shpenzuan jo pak energji duke draftuar idetë që dëgjonin nga Basha e Rama, e në fund kreu i PD, i refuzoi, e arriti marrëveshje vetë me kryeministrin, duke ua bërë surprizë edhe ndërkombëtarëve njëlloj si shqiptarëve. Pra, mendoj se ajo mungesë konsiderate po i kthehet mbrapsht, si një precedent se palët mund të merren vesh. Por përtej “ndëshkimit” që deri diku është i kuptueshëm ndaj Bashës, mendoj se ndërkombëtarët po bëjnë një gabim të madh duke mos imponuar zgjidhje, teksa njëlloj si ne të tjerët shohin një kryeministër të plotfuqishëm që vazhdon të grumbullojë pushtete e bën si të dojë, pa mundësi frenimi nga asnjë institucion vendas, edhe ata që me ligj a Kushtetutë nuk varen prej tij. E ky model veç tipare demokracie nuk ka.
Cila mund të jetë formula tek e cila palët mund të shkojnë drejt një zgjidhjeje? A ka shanse që kjo zgjidhje të vijë duke i bërë të dyja palët të ndihen të fituara ose të paktën jo plotësisht të humbura nga beteja?
Fjala kyçe për të dy palët është “besimi”. Nuk i besojnë njëri-tjetrit, së pari sepse e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Kanë shumë vite që “bëjnë ligjin” në këtë vend, me radhë, në pushtet e opozitë. Së dyti, me një nivel kaq të theksuar mosbesimi, është anormal pretendimi që palët të hyjnë në zgjedhje. Me informacionin që ka rrjedhur nga dosjet 339 e 184, të pretendosh se nuk do zbatohet e njëjta skemë si në 2017 në 30 qershor, do thotë më së paku se je naiv, e më së shumti se je i blerë nga të njëjtat burime si votat. Natyrisht që ka një mënyrë win-win për palët, që do thjesht vullnet politik. Së pari, zgjedhjet vendore duhet të shtyhen; së dyti, Basha duhet të heqë dorë nga kërkesa ekstreme për largimin e kryeministrit; së treti, palët duhet të ulen e të adresojnë problematikat zgjedhore; së katërti, nëse nuk ka një konfirmim apo rrëzim të akuzave për blerje të zgjedhjeve në 2017, duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme, sepse një parlament me mandate të blera, është deformim skandaloz i vullnetit qytetar, për pasojë jolegjitim.
