Aderimi i katër ekonomive të rajonit, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, në programin e Evropës Dixhitale paraqet një progres të madh, i cili u hap mundësi atyre që të përdorin programin me vlerë gati 7.5 miliardë euro, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu.

“Ajo që dikur dukej pothuajse utopike është bërë realitet që nga viti 2021, kur tarifat e roaming-ut u hoqën në rajon. Ne vazhdojmë të mbajmë premtimet tona për roaming-un. Gjatë dialogut të parë rregullator, vura në dukje se sfida e radhës është ulja e kostove të mëdha të roaming-ut ndërmjet Bashkimit Evropian dhe rajonit. Nga 1 tetori presim një ulje mesatare rajonale të kostove të transmetimit të të dhënave në roaming me 30 për qind”, tha Bregu.

Ministrat përgjegjës për komunikimet nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, zyrtarë të Komisionit Evropian dhe përfaqësues të organeve rregullatore dhe agjencive të komunikimit nga rajoni u mblodhën në takimin në Bruksel.

Mesatarisht, 72.5 përqind e familjeve në Ballkanin Perëndimor kishin akses në rrjete fikse broadband me shpejtësi mbi 30 Mbps, krahasuar me 90 përqind në BE.

Përveç kësaj, vetëm 35 për qind e qytetarëve të rajonit zotërojnë të paktën aftësi bazë dixhitale, ndërsa mesatarja në BE është pothuajse 54 për qind, sipas RCC.

Vetëm tre përqind e bizneseve në Ballkanin Perëndimor përdorën të paktën një teknologji të inteligjencës artificiale, ndërsa kjo shifër në BE ishte pothuajse tre herë më e lartë, me SME-të në rajon që përdorin teknologji dixhitale shumë më pak krahasuar me mesataren e BE-së.

Plani i ardhshëm i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të përfshijë integrimin gradual në tregun e vetëm dixhital dhe ndihmë më të madhe financiare, mund të jetë shtytësi kryesor i dialogut dhe bashkëpunimit me BE-në, sipas RCC.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re