Sulmi ka ndodhur gjatë përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës (Reuters)

Katër persona janë akuzuar për terrorizëm për hedhjen e granatës dhe bombave trullosëse në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë, Kosovë, vitin e kaluar.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ngritur aktakuzë ndaj katër personave për veprën penale “kryerja e akteve terroriste” me qëllim të frikësimit të popullatës.

Thuhet se të pandehurit (u publikuan inicialet e tyre) kanë kryer “shtrëngim të padrejtë të një organi publik, në këtë rast Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim parandalimin e zgjedhjeve vendore dhe me qëllim destabilizimin apo shkatërrimin e strukturave bazë politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

“Kur zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, së bashku me punonjësit e policisë, kanë shkuar për të hapur zyrat, të akuzuarit me persona ende të paidentifikuar kanë kryer një sulm terrorist, duke hedhur në drejtim të zyrës dy granata dore dhe dy granata trullosëse. “

“Më pas shpërtheu një granatë dore dhe dy granata trullosëse, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale dhe u kërcënua jeta e zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe oficerëve të policisë”, thuhet në deklaratë.

Sulmi në Mitrovicë ka ndodhur më 6 dhjetor 2022, gjatë përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, të cilat ishin caktuar për më 18 dhjetor, pasi përfaqësuesit e nacionalitetit serb, për shkak të vendimit për riregjistrimin e detyrueshëm i automjeteve nga serbia në targa të Kosovës (RKS), kanë dalë nga institucionet e Kosovës.

Kjo u pasua me bllokime të rrugëve nga popullata lokale serbe në veri të Kosovës dhe u regjistruan një sërë incidentesh.

Për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë, zgjedhjet u shtynë për në prill 2023.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re