Austria, Franca, Irlanda dhe Holanda i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të forcojë ligjet që synojnë të frenojnë ndikimin klimatik të udhëtimit me avion privat, sipas një dokumenti të përbashkët.

Në vendet e përmendura janë disa nga aeroportet më të ngarkuara në Evropë.

Mes tyre janë Schiphol i Amsterdamit dhe “Charles de Gaulle” në Paris.

Schiphol njoftoi në prill se do të ndalonte uljet dhe ngritjet e avionëve privatë dhe të biznesit të vogël, të cilët shkaktojnë 20 herë më shumë emetime të dioksidit të karbonit sesa fluturimet normale komerciale.

Paralelisht, Franca këtë javë ndaloi fluturimet e shkurtra tregtare të brendshme në rrugët ku ofrohen shërbime të mjaftueshme hekurudhore për pasagjerët.

Më shumë se 5.3 milion ton dioksid karboni

Në një dokument të ndarë me anëtarët e BE-së përpara një takimi të ministrave të tyre të transportit javën e ardhshme, të katër vendet thanë se besonin se gjurma “e tepruar” e karbonit për frymë e udhëtimit me avion privat duhet të nxisë veprimin e BE-së.

“Ne besojmë se, kur bëhet fjalë për këtë çështje, duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje në nivel të BE-së, veçanërisht me ndihmën e vlerësimit të mundësisë së vendosjes së masave më të forta rregullatore për udhëtimet me avion privat. Qëllimi ynë është të garantojmë që të gjithë të kontribuojnë në pjesën e tyre të drejtë në përpjekjet e përgjithshme për të reduktuar emetimet e gazeve serrë”, thuhet në dokument.

Në vitin 2022, fluturimet me avionë privatë në Evropë u rritën me 64 për qind.

Në të njëjtën kohë, më shumë se 5.3 milion ton dioksid karboni u lëshuan, sipas hulumtimit të kompanisë konsulente holandeze CE Delft, e cila u porosit nga Greenpeace.

Kjo është vetëm një pjesë e 147 milionë tonëve dioksid karboni që u emetuan në vitin 2019 nga të gjitha fluturimet nga BE dhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra edhe para se pandemia COVID-19 të ndalonte përkohësisht këtë sektor, sipas informacionit të agjencive të BE-së për sigurinë e trafikut ajror.

Megjithatë, aktivistët e klimës janë ankuar prej kohësh për emetimet e larta të karbonit për person kur fluturojnë me avionë privatë.

Demonstruesit ndërprenë fluturimet në Gjenevë

Rreth njëqind protestues ndërprenë fluturimet në aeroportin e Gjenevës të martën, duke kërkuar një ndalim.

Ministrat e transportit të vendeve të BE-së do të takohen më 1 qershor për të diskutuar dokumentin e hartuar nga të katër vendet.

Linjat ajrore evropiane do të përballen me kosto më të larta në vitet e ardhshme kur bëhet fjalë për emetimet e dioksidit të karbonit, duke pasur parasysh reformën e tregut të karbonit në BE.

BE ka rënë dakord për objektivat detyruese për linjat ajrore që të përdorin karburant më të qëndrueshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re