Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i është përgjigjur Lulzim Bashës pas deklaratave dhe akuzave të këtij të fundit në drejtim të treshes “Rama, Meta dhe Berisha” të cilat i etiketoi si “karusel” që kontrolluan për 30 vite politikën shqiptare.

Zyrtari i Presidencës citon katër pika të cilat i cilëson si katërkëndëshi i përgjegjësive madhore, duke nisur nga bojkoti i reformës territoriale, reformës në drejtësi, djegia e mandateve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor.

Blushi shprehet se Meta e pret Bashën në presidencë për çdo sqarim që ka nevojë ndërsa me ironi shton se kur ky takim të ndodhë Basha ta pranojë përfundimisht 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.

Reagimi nga Presidenca:

Keqardhje, që Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur.
Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:

1. Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
2. Bojkoti i reformës në drejtësi;
3. Djegia e mandateve të deputetëve;
4. Zerimi i opozitës në pushtetin vendor;
që sollën kapjen totale të shtetit.

Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë.

Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.

Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET!
Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re