Gjykata Kushtetuese nuk e vlerëson si të paligjshme vendimin e qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Këtë të enjte, ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të shfuqizuar këtë vendim të qeverisë.

Me një nismë të firmosur nga 28 deputetë, Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke e konsideruar si anti-kushtetues me qëllimin për të legalizuar katet pa leje në kullat e oligarkëve.

Por Gjykata, me vendimin e kësaj të enjteje hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke e vlerësuar VKM-në si Kushteteuse. Me rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike nga Kushtetuesja, mbetet në fuqi VKM për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmim tregu dhe në këtë mënyrë u legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit. Në të kundërt ndërtimet do të konfiskohen nga ana e qeverisë.

Vendimi i zbardhur pritet të bëhet publik në ditët në vijim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re