“Takimi Mitsotakis – Edi Rama: Kryeministri shqiptar zotohet të zbatojë reformat”. Me këtë titull një nga gazetat më të mëdha greke, “Kathimerini”  i ka kushtuar një shkrim takimit që kryeministrat e Shqipërisë dhe Greqisë zhvilluan këtë të hënë në Athinë.

Gazeta shkruan se në takim u diskutuan në parim çështje bilaterale. Sipas të njëjtave burime Edi Rama ka shprehur edhe një herë zhgënjim për mos-çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Euripian, por ka marrë angazhim para homologut grek që të vazhdojë me reformat me të njëjtin qëndrim.

“Kjo për faktin se është në interesin e vetë Shqipërisë për të përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë duke adresuar të gjitha çështjet bilaterale dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh” – citohet të ketë thënë Rama në takimin me dyer të mbyllura.

Në krahun tjetër, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka thënë se vendi i tij e mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë që këto vende plotësojnë kërkesat e pranimit.

“Ai gjithashtu përshëndeti angazhimin e palës shqiptare për të ecur përpara me çështjet e pronës dhe vetëvendosjes, të cilat janë çështje me rëndësi thelbësore për pakicën etnike greke në Shqipëri” – thuhet në shkrimin e “Kathimerini”.

Sipas të njëjtave burime, kryeministri grek vuri në dukje se marrëveshja dypalëshe për lejet e drejtimit do të ratifikohej së shpejti nga parlamenti grek ndërsa pranoi ftesën e Kryeministrit shqiptar për të vizituar Shqipërinë.

Edhe në një postim në Twitter, kryeministri grek e vuri theksin te të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë.

“Me kryeministrin shqiptar Edi Rama diskutuam perspektivën evropiane të Shqipërisë, si dhe çështje të tilla si prona dhe vetëvendosja / regjistrimi që kanë një rëndësi thelbësore për pakicën kombëtare greke në Shqipëri” – shkruan Mitsotakis.

Με τον Πρωθυπουργό της Αλβανίας Edi Rama συζητήσαμε για την Ευρωπαϊκή προοπτική της Αλβανίας καθώς και θέματα όπως αυτά των περιουσιών και του αυτοπροσδιορισμού / απογραφής που έχουν κεφαλαιώδη σημασία για την Ελληνική Εθνική Μειονότητα στην Αλβανία. https://t.co/dfKiwSu7bB pic.twitter.com/Hc13D1gqMC

— Prime Minister GR (@PrimeministerGR) October 29, 2019

https://platform.twitter.com/widgets.js

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re