Joe Biden premtoi pas mbërritjes së tij në Izrael se Shtetet e Bashkuara dhe shteti hebre do të “forconin më tej marrëdhëniet e tyre”, duke iu referuar veçanërisht një partneriteti “në sistemet më të avancuara të mbrojtjes në botë”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të promovuar integrimin e Izraelit në rajon”, shtoi presidenti amerikan, i cili do të udhëtojë më pas në Arabinë Saudite, duke iu referuar procesit të afrimit midis shtetit hebre dhe disa vendeve arabe.

Duke thënë se po bënte vizitën e tij të dytë në Izrael, por të parën si president, presidenti 79-vjeçar demokrat, një katolik i vendosur, e quajti ardhjen e tij një “bekim”.

“Marrëdhënia jonë me shtetin e Izraelit është më e thellë dhe më e fortë se kurrë”, siguroi Biden.

Duke përsëritur angazhimin “e vendosur” të Amerikës “për sigurinë e Izraelit”, ai tha se po përgatitej të merrte informacion mbi aftësitë e mbrojtjes antiraketore të Izraelit, duke përfshirë sistemin Iron Dome të mbështetur nga Uashingtoni, por edhe për një mekanizëm të ri mbrojtjeje lazer kundër avionëve pa pilot (dronë ).

Lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, presidenti Biden tha se sipas mendimit të tij “zgjidhja me dy shtete (një shtet i qëndrueshëm palestinez përkrah Izraelit) mbetet më i miri”, ndërsa pranoi se kjo mbetet një perspektivë e largët.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re