Së paku katër persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi shpërthime të shumta ndodhën në një depo armësh në Kazakistan të enjten në mbrëmje, theksoi sot një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.

Duke folur për AA përmes telefonit nga kryeqyteti Nur-Sultan, zyrtari tha se katër persona humbën jetën, ndërsa “20 të tjerë u plagosën” në incident.

Shpërthimet ndodhën në depon e armëve të vendosur në rajonin Taraz të provincës jugore Zhambyl, që kufizohet me Kirgistanin.

“Rreth shtatë shpërthime goditën depon e armëve të enjten në mbrëmje”, tha zyrtari, i cili dëshironte të mbetej anonim.

Ai tha se numri i “të plagosurve mund të jetë më i lartë”.

“Njerëzit e fshatrave më të afërt të vendit të shpërthimit janë evakuuar në vende më të sigurta”, tha zyrtari, duke shtuar se zyrtarë të lartë kanë mbërritur në vend për të “hetuar shkakun e shpërthimeve”.

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, mbrëmë tha se rreth 30 persona u plagosën në incident.

“Po punohet për të eleminuar pasojat e zjarrit. Ekipet e shpëtimit, personeli ushtarak, mjekët dhe të gjithë personat e përfshirë janë duke punuar në mënyrë aktive. Fatkeqësisht, numri i viktimave po rritet. Por situata është nën kontroll”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re