Ish-kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kazakistanit, Karim Massimov, është arrestuar nën dyshimin për tradhti, njoftoi komiteti.
Në një deklaratë, Komiteti i Sigurisë Kombëtare tha se një hetim për tradhti kishte nisur të enjten kundër Massimovit, duke shtuar se ai është vendosur në një qendër paraburgimi të përkohshëm.
Massimov, i cili u emërua në vitin 2016, u shkarkua nga posti i tij më 6 janar nga presidenti Kassym-Jomart Tokayev teksa protestat mbarëkombëtare vazhdonin.
Protestat kundër rritjes së çmimeve të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) janë shndërruar në trazira masive në gjithë Kazakistanin gjatë javës.
Deri më tani janë arrestuar 4.266 persona, përfshirë shtetas të vendeve fqinje, tha ministri i Brendshëm në një deklaratë.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Kazakistanit, të paktën 18 oficerë sigurie dhe 26 protestues kanë humbur jetën gjatë trazirave të vazhdueshme.
Si reagim, Tokayev shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në kryeqendrën tregtare Almaty dhe në rajonin e pasur me naftë Mangystau nga ku protestat u përhapën në pjesën tjetër të vendit.
Nënkryetari i Komitetit të Sigurisë Kombëtare Samat Abish, i cili është nipi i ish-presidentit të Kazakistanit Nursultan Nazarbayev, është shkarkuar gjithashtu.
