Administrata amerikane në largim ka njoftuar se do të deklarojë lëvizjen Huthi në Jemen si një “organizatë të huaj terroriste”.

Por kjo nuk është pritur mirë në Kombet e Bashkuara.

“Kemi frikë se ky vendim do të ndikojë negativisht në importin e ushqimit dhe produkteve të tjera thelbësore në një kohë kur një numër në rritje i qytetarëve të Jemenit po vdesin nga uria,” u citua zëdhënësi i KB, Stephane Dujarriç nga Reuters.

Ai shtoi se KB është e shqetësuar se shpallja e huthinjve si “terroristë” mund të ketë një efekt të dëmshëm në përpjekjet për të rinovuar procesin politik në Jemen.

Planet e SHBA

Shtetet e Bashkuara kanë në plan të deklarojnë lëvizjen shiite të Jemenit si “një organizatë të huaj terroriste”, tha më parë Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Shpallja e huthinjve si një organizatë terroriste ka qenë temë e debatit të ashpër javët e fundit në zyrën e Presidentit në largim Donald Trump dhe vendimi u shty për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme për krijimin e përjashtimeve për ndihmën humanitare, thanë disa burime.

“Qëllimi i shpalljes është që Ansar Allah të japë llogari për veprimet e tij terroriste, duke përfshirë sulmet ndërkufitare që kërcënojnë civilët, infrastrukturën dhe dërgesat tregtare”, tha Pompeo në një deklaratë, duke përdorur emrin zyrtar të lëvizjes.

Lëvizja ka zhvilluar fushata në të cilat “shumë njerëz janë vrarë, vazhdojnë të destabilizojnë rajonin dhe t’i mohojnë popullit të Jemenit një zgjidhje paqësore të konfliktit”, shtoi ai.

Grupi rebel kontrollon pjesën më të madhe të Jemenit dhe tashmë është nën sanksionet e SHBA.

Por shpallja e grupit terrorist pritet të trembë aktorët e jashtëm për të kryer shumë transaksione me autoritetet e përbëra nga këta rebelë, duke përfshirë transaksionet bankare dhe blerjen e ushqimit dhe karburantit.

Kombet e Bashkuara tashmë e kanë quajtur situatën në Jemen krizën më të madhe humanitare në botë.

Gjithashtu, vendosja e Huthit – e lidhur me Iranin – në listën e organizatave terroriste, për Presidentin e ri të SHBA Joe Biden mund ta bëjë më të vështirë krijimin e një dialogu me Teheranin dhe kthimin në një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re