Policia e Vlorës njoftoi të enjten arrestimin e një sekretareje të Gjykatës Administrative të Vlorës, pasi u zbulua se kishte ndryshuar disa vendime duke favorizuar palë të ndryshme në proces. Policia njoftoi se Edlira Shehu ishte arrestuar pas hetimeve nga policia kundër krimit ekonomik “me anë të metodave speciale proaktive të hetimit”.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se përgjatë periudhës kohore dhjetor 2018 – nëntor 2019, kur kjo shtetase ka qenë në marrëdhënie pune, dyshohet se ka ndryshuar disa vendime të gjykatës duke i favorizuar palët sipas interesit vetjak”, thuhet në njoftimin e policisë. Ajo akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit”.

Arjan Xhaferri prokuror  i çështjes i tha BIRN se ky “është një rast i rrallë”. Xhaferri tha se hetimi ende  nuk  ka  përfunduar, por deri më tani dyshohej se 43-vjeçarja ka vepruar e vetme.

E kontaktuar  nga BIRN gjyqtarja, Gentjana  Xhelili, pranë të cilës punonte sekretarja tha se ka  dhënë deponimet e saj në prokurori dhe polici, ndërsa nuk  pranoi të jap detaje rreth ngjarjes deri në përfundim të hetimit.

Mbrojtësi i Shehut, Edmond Dëma, i tha BIRN se ende nuk kishte informacion të mjaftueshëm dhe se nuk mund të fliste në këtë moment për çështjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re