Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, i ka thënë kreut të PD, Lulzim Bashës se ai e ka humbur mundësinë dhe privilegjin për të bërë replikë me shumicën, duke iu referuar zhvillimeve brenda partisë opozitare.
“E keni futur opozitën në vallen e marrëzisë. Ju z. Basha e keni humbur mundësinë dhe privilegjin e një replike nga ana e kësaj shumice. Duke iu lënë na avazin tuaj, unë po kthehem te një hero i vërtetë. Arjan Sala ishte baba i një fëmije”, tha ministrja.
Pas kësaj deklarate, kreu i PD tha se ajo që është bërë brenda partisë që ai drejton është forma më e lartë e legjitimitetit.
“Standardet e vendosura në luftën korrupsionit nga SHBA nuk mund të jenë të ndryshme. Ajo që ka ndodhur brenda forcës tonë politike, ajo që keni parë nuk është proces deligjitimimi, por forma më e lartë e legjitimimit, pastrimi i një forcë politike nga mbeturinat e komunizmit dhe korrupsionit. Ndërsa ajo që ju jeni për momentin nuk është shprehje e aspiratat e socialistëve për një shtet social”, tha Basha.
