Raportuesi i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, Stefan Schennach pak ditë më parë shprehu shqetësimin e tij në lidhje paketën anti-shpifje duke i kërkuar qeverisë shqiptare që të heqë dorë nga kjo nismë dhe ndërhyrjet të bëhen sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Një ditë më pas ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili në një intervistë dje për “DW” tha se do të marrim në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Gjermania ka një nga ligjet më të fortë kundër shpifjes dhe faktikisht ne do dëshironim që të kishim një ligj që të bazohej në modelin gjerman, por duke qenë se ne jemi një vend shumë më i vogël se Gjermania dhe me shumë më pak zë sesa Gjermania nga miqtë tanë në Këshillin e Europës apo në OSBE, na u tha që ne nuk mund ta aplikojmë ligjin gjerman, sepse do të ishte një ligj i rrezikshëm për Shqipërinë.

Kjo është bota ku jetojmë. Ne kemi bërë një ligj i cili është absolutisht i domosdoshëm. Do të marrim në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, por Shqipërinë si vatrën më të nxehtë të shpifjeve në Europë, ne nuk do ta lëmë”, u shpreh kryeministri.

Por cfarë kërkoi Komisioni i Venecias? Raporti sugjeronte se është e dobishme të rishikohet metoda e zgjedhjes së AMA-s dhe anëtarëve të këshillit të Ankesave. “Këto organe të kanë një përbërje pluraliste, të përbëhen nga individë të kualifikuar, të përfaqësojnë komunitetin e mediave dhe të gëzojnë një autonomi të besueshme nga qeveria dhe kontrollin e korporatave. Ligji ka paqartësi dhe ka të ngjarë të ketë një efekt frenues, duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalimin politik” thuhej në raportin e 19 qershorit.

Për të adresuar problemin e mediave të papërgjegjshme, Komisioni i Venecias inkurajonte autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetë-rregullues të pavarur e funksionues ku të jenë të aktorët përkatës të komunitetit të mediave, të aftë për të siguruar një sistem efektiv dhe llogaridhënies. Raporti e konsideronte ligjin jashtëzakonisht problematik për lirinë e mediave, në pikën për masat ndëshkuese përmes gjobave

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re