Ka nisur Komisioni Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e 25 Prillit, ku nuk kanë munguar replikat mes drejtuesit Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësuesve të mazhorancës. Sipas Toni Gogut, Alibeaj u ka dërguar kërkesë për informacione disa institucioneve në vend, pa marrë më parë miratimin e anëtarëve të tjerë të Komisionit.

Gogu e ka quajtur kërcënim faktin që Alibeaj ka kërkuar nga institucionet që të kthejnë përgjigje brenda 5 ditësh, duke iu referuar edhe ligjit për informimin. Derimë tani si Alibeajt ka kthyer përgjigje vetëm Partia Demokratike, dhe asnjë prej institucioneve të tjera të përfshira.

Gogu: Jam vënë në dijeni që keni nisur një shkresë ku i kërcënoni institucionet me kërkesat për informacion. Shkresa është bërë në emër të Komisionit Hetimor, ne jemi duke u përballur me një veprim të paligjshëm, propozoj që të bëni çdo njoftim në përputhje me rregulloren.

Alibeaj: Në mbledhjen e kaluar ne kishim kërkuar informacion nga institucion, këto lloj kërkesash miratohen pa vendim. Institucioneve u ishte lënë një afat i përcaktuar në përputhje dhe me afatet e punës së komisionit. Afati për institucionet ishte 5 ditë, dhe brenda afatit ka kthyer përgjigje vetëm PD. Asnjë institucion publik nuk ka dënjuar që të përgjigjej. Në këto kushte i vetmi instrument që ne kishim në dorë ishte minimalisht që të tërhiqnim vëmendjen. Ishte rikujtesë për detyrimin ligjor për të kthyer përgjigje  në kohë. Pas kërkesës sonë të dytë disa përgjigje janë dhënë, por nuk e dimë nëse kjo ka ndodhur apo jo nga frika.

I të njëjtit mendim ishte dhe Ervin Salianji, i cili tha se PS kërkon që të shpërdorojë kohën, në mënyrë që Komisioni të mos përmbushë qëllimet e tij hetimore. Salianji tha që e gjitha kjo bëhet për të gjetur pretekst që përfaqësuesit e PS të lënë sallën, siç ka ndodhur në disa raste të mëparshme.

Salianji: Kërkesa e kryerarit nuk është një kërcënim, nuk mund të jetë kërcënim zbatimi i ligjit. Institucionet të kryejnë detyrën sipas ligjit. Kjo kërkesë shpreh frikën e PS nga ajo se çfarë do të shpalos ky komision hetimor. Po merreni me cic-mice të kota për të votuar punën e Komisionit.

Në këto momente ka pasur tensione të vazhdueshme nga deputetët e PS-së të cilët kërkojnë fjalën duke mos lejuar vazhdimin normal të mbledhjes.

Alibeaj- Gogut: E drejtoj unë komisionin, të drejten e fjales do e marrësh kur ta jap unë. Nuk e kuptoj qëndrimin tuaj, nuk dua të besoj se ju keni skenar që të bllokoni punën e këtij komisioni.

Gogu: Fjalën ma jep ligji dhe rregullorja, nuk mund ta shkelësh ligjin, jeni duke vepruar në mënyrë të paligjshme

Alibeaj: Pala tjetër është pala e pakicës, nëse ju këmbëngulni që të jeni nga ana e opozitës, është çështje tjetër. Mesa duket në fakt, ky komision hetimor do tiu bëjë që të nisni numërimibn mbrapsht. Fjalën ja dhashë fillimisht zotit Salianji, tani e ka radhën zoti zëvendëskryetar.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re