Komisioni Europian i kujton Shqipërisë se miratimi i paketës ligjore anti-shpifje për median mund të cenojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Liria e shprehjes dhe pavarësia e mediave është një element kyç në politikën e zgjerimit të BE-së për mbrojtjen e të drejtave themelore.

Zhvillimet e fundit në Shqipëri në lidhje me kornizën ligjore për komunikimet elektronike dhe mediat audiovizive janë duke u vlerësuar. Është thelbësore që procesi i vazhdueshëm i konsultimeve publike mbi ndryshimet e propozuara të përfshijnë të gjithë aktorët relevantë të medias si dhe partnerët ndërkombëtarë dhe që mendimet e shprehura nga palët e interesuara të ndikuara drejtpërsëdrejti nga propozimet merren parasysh”, u shpreh Alceo Smerilli, përfaqësuesi i mediave në KE.

Paketa ligjore anti-shpifje, e iniciuar nga Kryeministri Rama parashikon regjistrimin e të gjithë mediave online, mbikëqyrjen e materialeve të publikuara në to dhe gjobitjen ose mbylljen në rast së përmbajtja e tyre cilësohet shpifje nga insitucionet përkatëse.

Institucionet që parashikohen të marrin këtë pushtet janë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP dhe Autoriteti i Medias Audiovizuale (AMA).

Për këto propozime ligjore, qeveria ka organizuar deri më tani katër dëgjesa publike për ligjin e medias, por asnjëra prej tyre nuk është transmetuar në media dhe nuk ka pasur pjesëmarrje të gjerë të grupeve të interesit.

Këtë nismë e ka kundërshtuar dhe OSBE , duke e cilësuar si një praktikë që dëmton lirinë e medias e shprehjes, dhe vë median nën kontrollin e plotë të qeverisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re