Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ka prezantuar në Fier, kandidaten për deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Migena Idrizaj.

Mehmetaj thekson se qyteti i Fierit duhet të lërë pas mjerimin dhe se me Migenën, ndryshimi do të vijë.

Postimi i Kejdi Mehmetaj:

Së pari më lejoni që t’iu falenderoj për kohën që ju keni gjetur për të na u bashkuar në këtë mbasdite dhe për të ndarë disa mendime me njëra tjetrën. Dua të falenderoj veçanërisht Migenën, e cila ka qenë edhe iniciatorja e këtij takimi të sotëm.

Por jo vetëm për këtë takim, por edhe punën e vazhdueshme që ajo ka bërë si një prej drejtueseve të grave të strukturave të LSI-së në Bashkinë e Fierit, por në të njëjtën kohë sepse ajo ka marrë përsipër që t’i futet një sfide të re, që është sfida e garimit për kandidate për deputete për Bashkinë dhe qarkun e Fierit.

Unë jam shumë e bindur se Migena si profesioniste është një nga mësueset më të dashura për të gjithë gjimnazistët që ajo ka pasur nxënës vit pas viti, pasi ne na ndodh që t’i takojmë dhe të na flasin për të, por në të njëjtën kohë edhe si grua e fortë do t’ia dali mbanë edhe në këtë sfidë. Unë jam e bindur që do t’ia dalim mbanë me sukses, sepse i gjithë ekipi që kemi ndërtuar për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit për qarkun e Fierit, është një ekip me vajza dhe djem, me zonja dhe zotërinj profesionistë dhe mbi të gjitha me njerëz me vlera, siç është edhe Migena.

Ajo që kemi kuptuar është që në këto zgjedhje ne nuk do të përballemi vetëm me programet dhe idetë tona, por do të përballemi edhe me vlerat që ne përçojmë si ekipe që kemi ndërtuar. Pasi fatkeqësisht në Shqipëri, por edhe këtu në qytetin e Fierit ku ju e keni ndjerë në mënyrë të vazhdueshme, duket sikur janë dy botë paralele, bota e njerëzve të thjeshtë, të cilët përpiqen në përditshmërinë e tyre me të gjitha problemet që kanë dhe nga ana tjetër bota e pushtetarëve, ata që përfaqësojnë antivlerat, botën e atyre njerëzve që përfitojnë nga pushteti që kanë në lidhje okulte. Megjithëse e kanë fituar për vite me radhë besimin e qytetarëve, nuk kanë ditur t’i kthejnë atyre mbrapsht asnjë gjë.

Ndaj ne kur ndërtuam ekipin, u përpoqëm që në fillim që të filtronim dhe të përzgjidhnim ato njerëz, të cilët e dimë se nuk do ta shikojnë pozicionin që do të kenë nesër si deputetët të Parlamentit të Shqipërisë, ose edhe si përfaqësues të LSI-së në nivel lokal, për të përfituar nga karrigia, por përkundrazi jemi të sigurt që do t’i japin vlera, do t’i përkushtohen punës së tyre. Ashtu sikurse dhe Migena i është përkushtuar me vite të tëra arsimit, të jeni të bindur që do t’i përkushtohet edhe qytetit dhe mbi të gjitha zonjave, vajzave dhe grave, të cilat sfidën e kanë trefish në shoqërinë tonë.

Unë mendoj që për qytetarët e Fierit nuk do të jetë shumë e vështirë zgjedhja këtë herë ata kanë pasur mundësinë me radhë të provojnë vetëm një kah të pushtetit dhe kanë kuptuar që për PS-së ose Rilindjen, pushteti duket se është ajo xhaketa e varur. Dhe nga ana tjetër asgjë nuk përkthehet për qytetarët, nuk përkthehet për jetesë më të mirë, nuk përkthehet për vende pune, përkundrazi Fieri jeton sot shumë më keq seç ka jetuar vite më parë. Për gratë e Fierit sot ka më pak shanse dhe mundësi, sesa vite më parë. Ndaj ne si LSI jemi përpjekur që të krijojmë një program, një vizion sesi duhet të zhvillohet Fieri dhe sesi qytetarëve të tij t’u jepen shanse për të pasur një vend pune të mirëpaguar, për të pasur arsim cilësor, shërbime në shëndetësi dhe për të ndërtuar një jetë me standarde më të larta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko