Është zhvilluar sot edicioni i 6-të i Gjysëm Maratonës së Beratit që tashmë duket se është prenotuar nga i njëjti emër, si fitues, kampioni kombëtar i këtyre garave në Shqipëri, Ilir Këllezi. Pjesëmmarja dhe organizimi këtë vit ishte edhe më i mirë se në edicionet e shkuara ku janë regjistruar më shumë se 90 pjesëmarrës, jo vetëm nga Shqipëria por edhe Kosova, Maqedonia, Serbia edhe Mali i Zi duke i dhënë një karakter ndërkombëtar kësaj gjysëm maratone.

Gara është zhvilluar nën një mot të nxehtë dhe kjo ka ndikuar që vrapuesit të mos arrijnë kohë shumë të mira por pjesëmarrësit janë shprehur të kënaqur nga organizimi i bërë. Duket se tashmë Bashkia Berat e ka kthyer në një traditë për Beratin këtë garim dhe këtë edicion ajo është nderuar edhe nga pjesëmmarja e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta. Ai së bashku me kryetarin e Bashkisë Berat, z. Petrit Sinaj pasi ka përshëndetur fillimin e saj duke bërë edhe një premtim se vitin e ardhshëm do të vij në këtë maratonë, si garues ka qënë pjesë edhe e ndarjes së çmimeve për fituesit.

I pari këtë garë e ka mbyllur atleti nga Korça, Ilir Këllezi me kohën 1 orë 19 minuta e 39 sekonda ndërsa pas tij janë renditur dy garues nga Kosova: Tiron Memusha dhe Ilir Rrudhani. Po ashtu kjo garë u dallua edhe për një pjesëmarrje më të madhe edhe të femrave por e dominuar nga vrapueset maqedonase. E para e ka mbyllur garën Adriona Poparsova me kohën 1 orë 35 minuta dhe 22 sekonda dhe ndërkohë u rendit e 6ta në këtë garë kundrejt edhe meshkujve. Pas saj në renditjen e femrave ishin Qëndresa Ramadani dhe Anxhelina Panova.

Në fundin e garës edhe në prezencën e e Presidentit të Republikës janë shpërndarë kupat dhe medaljet, si për meshkuj edhe për femra, të cilët fitojnë edhe një çmim monetar sipas renditjes. Ndërsa gjithë garuesit e tjerë kanë marrë certifikata dhe medalje pjesëmarrjeje./Berati.TV

Medaljet meshkuj:

  1. Ilir Këllezi 1h 19’ 31’’
  2. Tiron Memusha 1 h 24’ 41’’
  3. Ilir Rrudhani 1 h 30’ 36’’

Medaljet femra:

  1. Adriona Poparsova    1 h 35’ 22’
  2. Qëndresa Ramadani  1 h 49’ 09’’
  3. Angelina Panova 1 h 53’ 37’
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re