Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi doli në një deklaratë për mediat dhe tregoi ato të cilat sipas tij kanë qenë arsyet e humbjes në kryeqytet. Këlliçi tha se kjo ishte gara më e pabarabartë në këto 30 vitet e fundit.

“Rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit, për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Ky rezultat është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve.

Asetet publike janë vënë në dispozicion e janë shfrytëzuar në maksimum për të dhënë këtë rezultat të sotëm. Ne po punojmë çdo orë për të përgatitur dokumentacionin e plotë për çdo shkelje që është kryer. Rezultati nuk i përgjigjet asaj se çfarë njerëzit, qytetarët mendojnë për kryebashkiakun aktual dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme kudo, në çdo cep të Tiranës, në qytet apo fshat.

Unë u paraqita në këto zgjedhje në rrethana aspak normale, si të gjithë kandidatët e opozitës. Isha plotësisht i vetëdijshëm për pjesëmarrjen në garën elektorale më të pabarabartë të këtyre 33 viteve, e megjithatë sërish zgjodha të dal para qytetarëve me një program konkret, të detajuar dhe me një platformë e cila vuri në qendër nevojat e qytetarëve dhe që ofronte zgjidhje reale për shqetësimet e përditshme.

Megjithatë kjo nuk mjaftoi. Banorët dhe votuesit e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit që është i bazuar në presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe në propagandë. Unë e kam lexuar shumë mirë këtë fakt.

Shoqëria jonë mesa duket kërkon diçka ndryshe dhe pret më shumë prej nesh. Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari. Kjo nuk do të thotë se do tërhiqemi, përkundrazi, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë shumë më shumë se kaq.

Por së pari duhet të kërkojmë brenda nesh, për të kuptuar saktë dhe analizuar me ftohtësi se çfarë publiku, opinioni, banorët dhe votuesit kërkojnë prej nesh.”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re