Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi prezantoi planin për arsimin në kryeqytet.

 

Në një tryezë me ekspertë të arsimit, mësues, pedagogë, nxënës e studentë, Këlliçi tregoi masat që parashikon të marrë që në nisje të punës si kryebashkiak, për t’i dhënë fund problemit të mungesës së shkollave dhe çerdheve.

 

“Sot që ne flasim në kryeqytet kemi vetëm 39 çerdhe dhe 46 kopshte që mjaftojnë vetëm për akomodimin e 12 mijë fëmijëve të kryeqytetit. Pra 38 mijë fëmijë mbeten të pa adresuar dhe problematika e tyre, duhet të jetë një shqetësim parësor për çdo kryebashkiakë dhe për çdo punonjës të bashkisë Tiranë”, u shpreh ai.

Kandidati i opozitës paraqiti edhe zgjidhjen. Zgjidhja e këtij problemi do të vijë nëpërmjet përdorimit të taksës 3% si kontribut social që jep sektori i ndërtimit.

 

Pra, kjo hapësirë do të përdoret për kopshte dhe çerdhe të reja në Tiranë, që sipas Belind Këlliçit, do të ketë menjëherë dyfishim të tyre.

 

“Angazhimi im i parë dhe i drejtpërdrejtë sot është ky: E gjithë sipërfaqja e ndërtuar që vjen prej taksës 3% si kontribut social i sektorit të ndërtimit, do të shkojë për çerdhe dhe kopshte të reja. Kjo do të thotë se numri i kopshteve dhe çerdhe të reja në Tiranë do të dyfishohet menjëherë. Kjo do të ndodh brenda vitit tim të parë të mandatit të ardhshëm”, u shpreh Këlliçi.

 

Por, edhe nëse pas kësaj situate do të ketë ende fëmijë që nuk marrin shërbim në kopshtet dhe çerdhet publike për shkak të mungesës së kapaciteteve, ai parashikon një paketë financiare që ata të akomodohen në struktura private.

 

“Pasi të ketë kaluar viti i parë që të kemi marrë 3% për të ndërtuar të gjithë atë sipërfaqe për ta kaluar te fondi i ndërtimit të çerdheve dhe kopshteve, nëse do të ketë fëmijë, familje që kanë nevojë të regjistrojnë fëmijët në çerdhe apo kopsht shtetëror dhe nuk e gjejnë këtë mundësi, atëherë bashkia do t`i japë një bonus prej 100 mijë lekësh të vjetra në muaj për ta çuar fëmijë në një strukturë private derisa t`i garantojë kopshtin apo çerdhen publik”, tha kandidati për Tiranën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re