Gjatë gjithë jetës së saj ndihmoi motrat e vëllezërit. Babai i vdiq qëkur ajo ishte në moshë të re. Liria vendosi të fillojë punën që fëmijë, për të ndihmuar nënën dhe për t’i dalë në ndihmë motrave e vëllezërve më të vegjël. Sakrifikoi të gjithë jetën e saj për të ndihmuar familjen. Provoi gjatë viteve dhimbje të mëdha, dy motra e dy vëllezër i ndërruan jetë. Pak vite më parë, pësoi dhe një goditje të madhe, nëna, personi më i shtrenjtë, ndërroi jetë.

Në kushte të vështira ekonomike, Liria pësoi një incident që e la në kushte edhe më të rënda. Ky është rrëfimi i saj për “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Liria: E pamundur jam, s’mundem ta përballoj më këtë jetë. Më shumë jam rritur pa bukë sesa me bukë. Babi na la jetimë shumë të vegjël, në punë kam dal që e re për të ndihmuar motrat e vëllezërit, mamin. Vendosa të mos martohem, të bëhem krah me mamin… dy motra e dy vëllezër më vdiqën. 5 vite ka që më ka vdekur nëna, më la…

Nuk kisha ku të shkoja, në pemë shkova një ditë për të mbledhur hurma, për të ngrënë. Dega u thye dhe rashë. Rashë në majën e shtyllës së betonit. U çava në bark, theva dorën, kam thyer dhe tre rruaza të shtyllës. Djali i vëllait më uli poshtë nga shtylla, në spital… ndenja dy javë e më thonin doktorët, je për operim. Ne nuk kishim para, ishim shumë të varfër. Në ortoped kam shkuar i cili më tha se më duhej të paktën një protezë. Nga skamja, unë s’kam ku shkoj, jam e pamundur. Këmba nuk më funksionon më, po më thahet… as ilaçet s’më bëjnë efekt, po më lë këmba. Shpresën e kam tek Zoti e Elvis Naçi, kërkoj vetëm një operim sepse dhimbjet s’i duroj dot më.

Por bamirësia mes shqiptarëve nuk ka vdekur. Sidriti e Meri shkuan ta vizitojnë Lirien, për t’i dhënë lajmin e mirë.Liria i tregon atyre disa momente të vështira të jetës. Sidriti e Meri s’mundën t’i mbajnë dot lotët kur Liria u rrëfente sakrificat e shumta që bëri e sesa e gëzuar do të kishte qenë nëna e saj e ndjerë, nëse do të kishte qenë prezente për të mësuar se e bija do të mund të operohej.

Liria hyri në operim dhe fatmirësisht gjithçka shkoi mirë. Sidriti e Meri Bejleri shkuan ta vizitojnë Lirien dhe ajo ishte tashmë në këmbë, nga ku tha fjalë nga zemra.

“Ju falenderoj pa masë, jeni të mrekullueshëm. Zoti ju bekoftë.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re