Universiteti britanik i Kembrixhit ka njoftuar se ka përfituar historikisht nga të ardhurat e skllavërisë dhe është zotuar të rrisë numrin e bursave për studentët me lëkurë të errët dhe të investojë më shumë në kërkime për tregtinë çnjerëzore dhe vdekjeprurëse.

Njohja vjen në një kohë kur një sërë institucionesh kryesore britanike, nga Banka e Anglisë dhe Kisha e Anglisë, po vënë në pikëpyetje rolin që luajti skllavëria në pasurimin e Britanisë.

Menaxhmenti i Universitetit të Kembrixhit njoftoi se hulumtimi i porositur nuk gjeti prova që vetë universiteti ndonjëherë të kishte në pronësi të drejtpërdrejtë skllevër ose plantacione.

Megjithatë, rezultatet treguan se ajo përfitoi “në mënyrë të konsiderueshme” nga skllavëria përmes dashamirësve universitarë që përfituan nga tregtia e skllevërve, investimet universitare në kompanitë që merrnin pjesë në tregtinë e skllevërve dhe taksat që merrnin nga familjet e plantacioneve, thuhet në raport.

Studiuesit kanë zbuluar se anëtarët dhe studentët e Universitetit të Kembrixhit kishin aksione në Kompaninë e Indisë Lindore, e cila mori një statut mbretëror nga Elizabeth I më 31 dhjetor 1600, duke i lejuar ata të fitonin një avantazh tregtar në Indi.

Me universitetin ishin të lidhur edhe investitorët në kompaninë mbretërore afrikane, të kryesuar nga Duka i Jorkut, vëllai i mbretit Charles II. Të dyja kompanitë ishin shumë aktive në tregtinë e skllevërve.

Një grup studiuesish të Kembrixhit zbuluan se universiteti merrte donacione nga investitorë në të dyja kompanitë, ndërkohë që investonte drejtpërdrejt në kompaninë e Detit të Jugut, gjithashtu shumë aktive në tregtinë e skllevërve.

“Një përfshirje e tillë financiare kontribuoi në tregtinë e thjeshtuar të skllevërve dhe prej saj Kembrixhi përfitoi shumë financiarisht”, thuhet në raportin e publikuar nga studiuesit, me titull “Trashëgimitë e skllavërisë”.

Heqja e veprave të artit

Duke reaguar ndaj rezultateve të hulumtimit, universiteti njoftoi se muzeu universitar do të organizojë një ekspozitë mbi skllavërinë në vitin 2023.

Në të njëjtën kohë, Muzeu i Arkeologjisë dhe Antropologjisë së Kembrixhit rekomandoi që “bronzat e Beninit”, pllakat metalike dhe skulpturat prej bronzi të vlefshme që dekoronin pallatin mbretëror të Mbretërisë së Beninit në pjesën e sotme jugore të Nigerisë, të plaçkitura dhe të marra nga forcat ushtarake britanike në shekullin e 19-të, duhet t’u kthehen autoriteteve të atij vendi.

Shumica e bronzëve të Beninit përfunduan në muze të ndryshëm evropianë, të cilët i blenë nga tregtarët.

Institucione të tjera britanike po rishikojnë gjithashtu koleksionet e tyre të artit dhe arkeologjisë. Banka e Anglisë njoftoi në gusht se do të heqë të gjithë artin që përshkruan ish-guvernatorët e lidhur me skllavërinë dhe tregtinë e skllevërve.

 “Ne nuk mund të korrigjojmë gabimet e historisë, por ne mund të bëjmë diçka duke i pranuar ato në fillim,” tha zëvendëskancelari i Kembrixhit, Stephen Toope, duke reaguar ndaj raportit.

“Tani që kemi zbuluar lidhjen e universitetit tonë me një histori të tmerrshme abuzimi dhe skllavërimi, raporti na inkurajon të angazhohemi edhe më shumë në adresimin e pabarazive aktuale, veçanërisht ato që lidhen me përvojat e komuniteteve me ngjyrë”. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re