Brenda një harku kohor 3- vjeçar, Gjykata e Lartë pritet t’i kthehet normalitetit. Këtë e bëri të ditur, Kryetari i kësaj gjykatë, Sokol Sadushi në përmbledhjen vjetore për vitin 2023.

“Nëse do bëjmë një llogaritje të shpëjtë matematikore do të kuptojmë që  me një numër më të vogël se 18 gjyqtarë nga viti 2020 deri në vitin 2023 ne kemi arritur të heqim mbi 24 mijë çështje. Duke qenë se ne kemi 24 mijë çështje në proces jam i bindur se nuk do të duhen 3 vjet”, tha Sadushi.

Krahas stokut të dosjeve, Sadushi ngre problemin e rekurseve të bëra nga avokatët që nuk kalojnë as pragun e pranueshmërisë, ç’ka do të thotë se dosjet i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor, në një kohë kur argumentet që kundërshtojne nuk janë shtruar në mënyrë ligjore.

“Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara. Vetëm gjatë vitit 2023, nga ky proces seleksionues në fushën administrative janë vlerësuar haptazi të pabazuara 42% e rekurseve të paraqitura”, u shpreh ai.

Për vitin 2023 janë dhënë 7.848 vendime gjyqësore, nga të cilët 2.931 i përkasin Kolegjit Administrativ, 2.689 vendime të Kolegjit Civil dhe 2.228 vendime të Kolegjit Penal.

Referuar këtyre të dhënave, çdo gjyqtar thotë Sadushi ka mbajtur për këtë vit një ngarkesë prej afro 440 vendime në vit (një shifër rekord), ndërkohë që historikisht, në vitin e saj më të mirë dhe me më shumë këshilltarë ligjorë, Gjykata e Lartë shqyrtonte mesatarisht jo më shumë se 250 çështje në vit për gjyqtar. /

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re