Kryebashkiaku Erion Veliaj është takuar këtë të mërkurë me qytetarët e njësisë nr 4 në kryeqytet, ku foli për të gjitha punët dhe veprat publike të ndërtuara në dy mandatet e tij.

Veliaj foli dhe për Lagjen e re të Rindërtuar, “5 Maji”, ku tha se  nëse dikur ajo konsiderohej fundi i botës sot kjo zonë do të jetë porta hyrëse veriore e Tiranës.

“Kemi takuar njerëz gjithë rrugës dhe në çdo stacion, ose ishte dikush që ishte administrator pallati dhe tha: “Me këtë sistemin e ri na është bërë më mirë”, ose ishte dikush që kishte hapur një biznes të ri dhe po i shtohej puna, se kanë ardhur edhe banorët e rinj tek “5 Maji”. Ishte një bekim i madh se ti kupton që ne i kemi lidhur fijet me njëri-tjetrin. Ai që quhet stofi, apo xhinsi siç thonë tironsit, në thelb kjo është. E vetmja vërejtje që kam pasur gjithë rrugës me njerëzit është një xhep i vogël këtu, do të thotë që është zgjidhur një pjesë shumë e madhe e gjërave. Kur thoshin njerëzit e kam shtëpinë tek “5 Maji”, apo Bregu i Lumit, konsiderohej fundi i botës. Tani kjo do bëhet porta e re e Tiranës. Plani tjetër është që të bëhet ura këtej, të lidhen edhe me Kamzën e Paskuqanin. Në anën tjetër kalon autostrada dhe krejt papritur, siç është bërë Farka e lidhur me autostradë dhe i ka rritur vlerën, autostrada që kalon këtu do ta kthejë këtë zonë, jo në cepin dhe fundin e Tiranës, por në fillimin dhe hyrjen e Tiranës,” u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, ai tha se puna nuk ka mbaruar dhe pikërisht për t’i vazhduar ato në një mandat të tretë Partia Socialiste kërkon votën e qytetarëve të Tiranës.

“E di që jo të gjitha punët kanë mbaruar. Unë besoj se pikërisht pse kemi ende punë për të bërë duam, që të përveshim mëngët e të ecim përpara. Kryeministri na ka lënë një porosi, që ne nuk do mbjellim sherr në këtë fushatë. Ne nuk jemi këtu se kemi inat të tjerët. Ne jemi këtu se duam njëri-tjetrin, familjet, çunat, gocat, komunitetin. Për këtë dashuri dhe këtë pasion kemi vendosur më mirë të mbjellim pemë dhe të gjithë atyre që merren me mirëmbajtje dhe pastrim mos t’u lëmë as postera, as banderola, as rraqe e shkarravina, që në fund fare, qyteti do ketë pemë dhe për ata që ndoshta nuk i mendojnë gjerat si ne, të paktën do thonë këtyre kundërshtarëve tanë edhe fushata u pati duk, se mbollën gjelbërim, ajër të pastër e oksigjen,” deklaroi në fund Veliaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re