Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer si lindi ideja për të ndihmuar Italinë me 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë për të përballuar fluksin e koronavirusit. Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Rama tha se një gjest i tillë u bë sepse Italia është çdo ditë pjesë e jetës tonë.

 

“Ne kemi jetuar me Italinë çdo ditë, përgjithmonë, dhe kur kuptuam se kishte nevojë për forcat e vijës së parë i thashë vetes: “Le të bëjmë diçka, nuk do të jetë shumë, por prapë një ndihmë është… “Kështu që telefonova ministrin Luigi Di Maio dhe së bashku organizuam operacionin, duke u koordinuar edhe me Shëndetësinë. E shkëlqyer ishte përgjigjja e menjëhershme nga mjekët dhe infermierët tanë. Edhe këtu kemi vdekje dhe të infektuar, por situata italiane është më serioze, dhe mobilizimi është ndjerë .”

 

Rama tha se situata e krijuar nga COVID-19 në të gjithë botën duhet t’i shërbejë gjithsecilit për të reflektuar.

 

“Unë nuk mendoj se ky virus ka mbërritur për të mirën tonë, por siç tha papa Françesku gjithashtu na jep mundësinë të reflektojmë mbi marrëdhëniet që kemi me natyrën, me familjet tona, me nivelin e komunikimit midis shteteve. Askush nuk mund të përjashtojë që Kina në vetvete nuk do të bjerë viktimë e virusit ose se infeksioni nuk do të kthehet në vendin ku dukej i zhdukur. Është një iluzion të mendosh që nuk duhet të veprojmë së bashku.”

 

Ai nënvizoi se për Shqipërinë, rruga e vetme është Bashkimi Evropian dhe se askush nuk mund ta zëvendësojë atë.