Eksperti i IT, Gent Progni, i ftuar në studion e News24, ka zbardhur prapaskenat e organizimit të revoltës qytetare, tentativat për përçarje dhe mesazhin e prerë që bashkon të gjithë protestuesit në shesh.
Progni u shpreh se politika ka tentuar ta përçajë lëvizjen që nga dita e parë, duke përdorur profile false dhe duke përhapur lajme të rreme, siç ishte pretendimi se ai ndodhej nën hetim nga SPAK. Ai theksoi se është i gatshëm të japë edhe jetën për këtë kauzë dhe se nuk ka ndërmend të bëjë asnjë kompromis me sistemin aktual.
Duke folur për menaxhimin e sheshit dhe xhelozitë e krijuara, Progni u shpreh se roli i organizatorëve është thjesht teknik, ndërsa konfirmoi se është arritur një marrëveshje me forcat e reja politike që të mos përdorin simbole partiake.
“Kjo është diçka e re, ne kamarierët e protestës, kemi edhe xhelozi nga njerëz të tjerë që nuk i marr për keq, janë njerëzore. Ka pasur tentativa për përçarje nga politika që ditën e parë. Kam thënë që çdo përgjigje nuk duhet të jetë flakë për flakë, duhet dëgjim e komunikim, pastaj protesta. Ka pasur raste që janë publikuar edhe informacione false, që gjasme unë jam nën hetim nga SPAK, janë profile false. Është një tentativë për të dëmtuar njerëzit që janë me shpirt aty. Unë jam gati të jap edhe jetën, unë nuk dua të largohem nga Shqipëria. Vij nga një krahinë që nuk e ka pushtuar asnjë pushtues në Shqipëri. Më mirë iki nga Shqipëria dhe nuk bashkëpunoj me këtë sistem. E kisha frikën te patronazhistët, por protestuesit treguan se janë më të fortë se ata. Kanë dalë disa grupime që mundohen të kapin protestën. Kam pasur një diskutim me partitë e vogla që të vijnë pa logo partish, sepse nuk është protestë e partive dhe fatmirësisht e kemi gjetur këtë akord. Partitë e vogla fitojnë nga kjo protestë në çdo skenar”, deklaroi ai.
Më tej, Progni shpjegoi se protesta synon një ndryshim rrënjësor të sistemit politik, duke kërkuar jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit, por edhe një ndarje të re, horizontale, të mandateve, me qëllim që pushteti të mos mbetet në duart e një njeriu të vetëm.
“Protesta duhet të sjellë një dorëheqje por edhe një shtrirje horizontale të mandateve, të mos ketë njeri fuqi ekstreme. Duhet të ketë kushte që ata që janë përfshirë dhe përfolur për korrupsion, të largohen nga ky sistem. Të ketë një horizontalitet, protesta mund të nxjerrë edhe deputetë të pavarur, por të largohet fuqia madhore që ka kryeministri sot. Aty janë të gjitha llojet e rrymave. Ka të majtë, të djathtë, ambientalistë, njerëz nga shoqata të ndryshme, por i bashkon një qëllim, Shqipëria e shqiptarëve, Rama në burg, Berisha në burg! Shqipëri e re! Media të pavarura dhe duam të falënderojmë News24 që na transmeton çdo ditë aty”, tha Progni.
