Analisti Andi Bushati është një prej të bllokuarve në aksin kombëtar afër Lezhës për shkak të motit të keq.

Bushati thotë në një lidhje live për ”News24” se ka mbi dy orë i bllokuar teksa saktësisht ndodhet 10 kilometra pasi kalon Lezhën, në drejtim të Tiranës.

Ai thotë se ka me qindra makina, ndërsa këshillimi i vetëm nga autoritetet është një polic tek rrethrrotullimi që të orienton për t’u futur në rrugë dytësore.

”I bllokuar 10 kilometër pasi kalon Lezhën për në Tiranë, kemi mbi dy orë këtu. Qytetarët nuk kanë asnjë informacion. Disave u mbaron karburanti, disa me fëmijë të vegjël. Është një kaos total.

Nuk di të them këtu ku jam unë, këtu është një mori e varg i madh makinash. Deri në horizont ka makina pa fund. Diku nga fundi apo fillimi i karvanit mund të ketë ndonjë autoritet. Nuk dihet e sqarohet sa mund të zgjasë. Janë me qindra, pa fund. Unë sa botova një foto në FB, dhe vetëm drita makinash të sheh syri. Diku tek rrethrrotullimi të thotë një polic futu në rrugë dytësore dhe kaq.

Nuk lëviz dot as mbrapsht, as përpara.”- tha Bushati.