Duke apeluar fort për mbajtjen e maskës, madje vendosjen e saj të detyrueshme, Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj tha se koronavirusi nuk do të infektojë asnjëherë 100% të popullatës.

Në një intervistë në “News 24”, Brataj theksoi se “nga testet serologjike përqindja është 5.6 përqind. Edhe vendet që nuk janë hapur nuk kalojnë 10 përqind” tha ai.

Sipas Brataj “është maska ajo që mund të na mbrojë në këto momente. Ai pohoi se po punohet për të gjetur një vaksinë dhe virusi do ta ketë një fund, nuk është pa mbarim”.

Sipas tij, po të zbatohen këto masa që themi për tre javë do kemi rënie deri në 60% të infektimeve.

Nisur nga shifrat e larta të rasteve të reja, e me shumicë, mosha të reja, të infektuar së fundmi, madje edhe të shtruar në Infektiv, Brataj nënvizoi një shqetësim të madh në këtë moment.

“Në këtë moment kemi më shumë të infektuar të rinj. Mosrespektimi i masave në këto mosha është në maksimum.

Më shqetëson kjo gjë, sepse këtë transmetim po e çojnë në familje, tek më të moshuarit. Në fund të korrikut dhe gushtit do të na paraqiten prindërit dhe gjyshërit e tyre, do të jetë me shumë rrezik”, tha Brataj, duke apeluar për mbajtje maske kudo, distance dhe higjiene.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re