Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha të enjten nga Kurbini theksoi se asgjë nuk do t’i rrëzojë demokratët, ndërsa shtoi se këta të fundit do të ngrihen më të fortë. Basha përmendi mbështetjen e SHBA-ve në këto kohë të vështira të vendit duke e konsideruar atë si gardianin e demokracisë.

“Ndodhemi në një situatë ku askush nuk e dëshironte. Detyra e demokratëve ka qenë të përballen me situata të tilla. Kemi pasur situata të vështira, disa edhe si rezultat i gabimeve tona, por demokratët i diferencon diçka , aftësia për të menduar me kokën e tyre dhe jo me kokën e idhullit të rremë.

Nuk na rrëzojnë dot do të ngrihemi edhe më të fortë. Ne jemi bashkë sepse kemi lindur si një familje politike me shpresën e shqiptarëve për ndryshim, ndaj jemi bashkë dhe kemi vazhduar në ditët e errëta ku prapambetjet e regjimit tentuan të kthejnë rrotën e historisë”, tha Basha.

Mes të tjerash, Basha theksoi sërish  se persona të shpallur “non-grata” nuk duhet të merrnin pjesë në politikë.

“Veprat tona kanë folur qartë. Atëherë kur SHBA përcaktuan si persona të padëshiruar persona të partisë Socialiste ne mbajtëm një qëndrim. Si kryetar i PD i zgjedhur me një anëtar një votë, duke ndjekur të njëjtin standart edhe unë kam marrë të njëjtin vendim në 9 shtator, me shpresën dhe besimin se Sali Berisha do i kursente partisë Demokratike këtë që po ndodh.

Na lër të të nderojmë për atë pjesë të mirë të historisë. Sepse ne po ndjekim atë standart të vendosur më parë. Kush është non-grata nuk duhet të jetë në politikë. Por për fat të keq interesat personale u vendosën mbi ato të demokratëve”, deklaroi Basha.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re