Skip to content

“Kemi nevojë për përfaqësim të vërtetë”, komuniteti shqiptar në Selanik refuzon pjesëmarrjen në Samitin e Diasporës

Komuniteti shqiptar në Selanik ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në Samitin e IV-të të Diasporës Shqiptare, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës së trajtimit të çështjeve që prekin emigrantët.

Në një reagim publik, përfaqësues të diasporës theksojnë se nuk ka më nevojë për aktivitete ceremoniale, por për përfaqësim real, dëgjim aktiv dhe zgjidhje konkrete për problemet e përditshme.

Sipas tyre, shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe në shumë vende të tjera përballen me sfida të vazhdueshme, që kërkojnë ndërhyrje serioze institucionale.

“Dokumentacioni, punësimi, integrimi social, të drejtat, pensionet dhe arsimi i fëmijëve janë çështje reale që na prekin çdo ditë. Këto nuk zgjidhen me fjalime dhe foto zyrtare, por me politika konkrete dhe angazhim të drejtpërdrejtë,” thuhet në njoftim.