Policia e Shkodrës ka një autor të dyshuar kryesor për atentatin ndaj Lek Gurit, i cili mbeti i vdekur, ndërsa djali i tij u plagos. Drejtori i policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj, para mediave bëri me dije se shkak dyshohet të jetë bërë zaptimi i disa tokave pyjore. Ndonëse atentati që tronditi Dukagjinin nuk ka ende një autor, policia shprehet se hetimet e çojnë drejt një të afërmi të viktimës.

 

“Motivet e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë konfliktet dhe kanosjet e vazhdueshme me palën e dëmtuar, për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe sipërfaqeve pyjore në zonë.

Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit”, thuhet ne njoftim.

 

Gjithashtu policia ka mundur të parandalojë një ngjarje kriminale, ku dy persona ishin konfliktuar, e një prej tyre qëlloi me armë zjarri drejt automjetit të personit tjetër, në Vaun e Dejës.

 

 

Ndërkohë, policia e Shkodrës deklaroi se ndonëse kjo zonë është tronditur së fundmi nga të shtëna me armë zjarri, viktima e të plagosur, sërish krahasuar me një vit më parë shifrat tregojnë reduktim të krimit.

 

“Kanë ndodhur 5 vrasje në krahasim me 9 vrasje të ndodhura gjatë 9-mujorit të vitit 2022, si dhe 3 raste të vrasjeve të mbetura në tentativë, në krahasim me 10 vrasje të mbetura në tentativë gjatë 9-mujorit të vitit 2022”.

 

Policia e Shkodrës njoftoi gjithashtu se vijojnë hetimet për të zbardhur ngjarje të tjera kriminale, si dhe për goditjen e kultivimit të narkotikëve përmes kontrolleve të vazhdueshme.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re