Skip to content

Këndonin në rrugët e Romës se s’kishin para… dje u shpallën fituesit e “Eurovision”

Mbrëmjen e djeshme një grup rock-u nga Italia u kurorëzua si fitues i “Eurovision”, ndërsa Shqipëria e përfaqësuar nga këngëtarja Anxhela Peristeri doli në vendin e 21-të.

Por grupi “Maneskin” i cili fitoi Eurovision-in e mbajtur Holandë, ka një histori të pazakontë.

Detaji i parë është se para 5 vitesh, grupi nuk ekzistonte. Siç raporton Il Corriere, grupi i përbërë nga 4 djem e një vajzë janë në moshë të re dhe e kanë nisur gjithçka në rrugët e Romës

Vokalisti kryesor i grupit, Damiano David, sot 22 vjeçar, tha se për mëse 1 viti ata kënduan rrugëve të kryeqytetit, kjo sepse u duheshin para. E të mendosh se 22 vjeçari ishte përjashtuar nga një grup ku bënte pjesë vajza (Victoria De Angelis), e cila tha se u largua ngaqë zëri i tij ishte shumë ‘pop’ e jo rock.

Bashkë grupi u mblodh rastësisht. Damiano me Victorian njiheshin, ndërsa kitaristi Thomas Raggi u thirr nga 20 vjeçarja, e cila luan në kitarë bass. Kurse pjestari i fundit, Ethan Torchio, erdhi e u bë pjesë e grupit pas një njoftimi të bërë në rrjetin social.

Ndërkohë emrin ‘Maneskin’ ka një kuptim në gjuhën daneze dhe do të thotë “drita e hënës”. Emrin e gjeti Victoria, e cila nënën e ka me origjinë daneze. Djemtë nuk e menduan gjatë dhe vendosën për këtë emër grupi.

Viti i rëndësishëm për këta të rinj do të ishte 2017, kur ata hyjnë në emisionin e talentit ‘X Factor’. Pavarësisht se grupi nuk doli i pari në këtë emision, pjesëmarrja e atje ishte e mjaftueshme për t’i bërë të njohur e për të fituar Sanremon.