Nën organizimin e Suzana Turkut dhe pjesëmarrjen e Inva Mulës, Kastriot Tushës, Vikena Kamenicës, etj., 50 artistë sollën këngën “Shqipëri o vendi im!”, në kushtet e distancimit social ku secili u bë i pranishëm përmes celularit nga shtëpia e tij.

Të pranishëm fizikisht dhe virtualisht në studion e ABC News ishin Inva Mula, Suzana Turku, Klodian Qafoku dhe Ardita Bufaj.

Kjo këngë është realizuar në kushte tepër të vështira montimi, duke qenë se duheshin bashkuar të gjithë copëzat e realizuara nga secili artist.

Klodian Qafoku orkestruesi dhe realizuesi i produktit final teknik të kësaj kënge, tregoi në ABC News se si kishte mundur të nxirrte produktin final, duke qenë se këngëtarët kishin realizuar pjesët e tyre nga celulari.

Biseda:

Endri Xhafo: Si ja bërë për miksazhin?

Klodian Qafoku: Përpara se të flas për çështjen teknike dua të falënderoj të gjithë artistët që u bënë pjesë e kësaj gjëje të bukur. Falënderoj Prof. Zana Turkun që më besoi këtë punë kolosale. Ishte mbështetja e drejtorit artistik Aristidh Prosit që na mundësoi orkestrën simfonike.

Endri Xhafo: Sa kohë keni punuar?

Klodian Qafoku: U desh gati 1 ditë që të hidhja riorkestracionin në letër, në nota, pastaj direkt kam kontaktuar me instrumentistët e Radiotelevizionit, për të cilët u ndamë partiturat.

Endri Xhafo: Çfarë i bëri të ishin të gatshëm?

Klodian Qafoku: E para ishte nisma dhe të gjithë po ti shohësh ata kanë luajtur me shumë emocion. Edhe pse kanë qenë vetëm ata e kanë realizuar sikur të kishin shokun pranë dhe e kanë dhënë emocionin  e tyre.

Endri Xhafo: Çdokush është regjistruar nga celulari?

Klodian Qafoku: Po çdokush e ka regjistruar pjesën e vet nga celulari.

Endri Xhafo: Sa kohë ju mori, ishte e vështirë?

Klodian Qafoku: Në fakt është paska e vështirë por çudia më e madhe ishte se tingulli i vërtetë i të gjithëve ishte i përsosur, ishte shumë i bukur edhe pse jo nga mikrofonët profesional. Kemi gati dy ditë që montojmë videon me telefon, shumë peripecira në fakt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re