Në sarajet e Omer Pashës:

Midis tyre përmendim sarajet e Omer Pashës në lagjen Mejdan. Porta e këtyre sarajeve, që u dogjën gati një shekull më parë, ishte me gurë të gdhendur, dhe me një mbishkrim të çuditshëm mbi harkun e saj, që mbart një domethënie të veçantë: “Sa herë u hapsh, aq herë u mbylltë syri i armikut përpara suresë inna fetahna”.

Dhe ajo portë qëndroi gjithmonë e hapur. E hapur mbetet edhe sot ngaqë po e kujtojmë. Aty ngrihej ahengu i madh i qytetit. Në dhomën e madhe të këtyre sarajeve mblidheshin sevdallnjtë e këngës, ata që këndonin dhe ata që krijonin. Aty do të gjeje Hamit Vokopolën, vëllezërit Fuga dhe të tjerë, që unë s’mund t’i kujtoj. Aty ishin të pranishme edhe çingitë e njohura: Shaje Llaka, Mini i Osmanit, Difja…

Në këtë mjedis është ngritur edhe “Kënga e Qerimesë”. Janë ngritur edhe shumë këngë të tjera. Midis këngëtarëve një vend nderi zinte edhe një burrë i shkurtër me fustanellë. Ishte nga Gorica. Usta Jorgji e kishte emrin. E nderonin si ortodoks dhe si krijues këngësh dhe këngëtar me zë. Sipas kujtimeve të Llambi Bendit dhe të Siri Agos, rrëfehet një histori që lidhet me një këngë të krijuar prej Jorgji Bendit.

“… Pa u thyer ende dita, në portën e usta Jorgji Bendit u dëgjuan të trokitura.
Doli në krye të shkallëve.
Një djalë i ri i dërgoi të fala nga njerëzit e pashait.
I kumtoi dhe ftesën për ahengun që do të ngrihej atë mbrëmje në saraje.Do të vij, ja sa të vishem,- iu kthye usta Jorgji dhe hyri në shtëpi. Djali fluturoi. Se kishte edhe ftesa të tjera për të bërë. Nxori fustanellën, me pala të bardha akull. E veshi. U pa mirë e mirë. Dhe si u bind se tani ishte gati për të dalë, i foli të shoqes dhe mori rrugën për nga Ura e Goricës. Kaloi në krah të turbes. Hyri në rrugën para Shtëpisë së Bimbashit. Sakaq u gjend para portës së sarajeve. Ajo ishte e hapur. Priste të ftuarit. Ngriti kokën lart. Hodhi një shikim mbi të dhe si bëri shenjën e kryqit, tha me vete:

Në këtë portë duhet hyrë me këmbën e djathtë, se këtë kërkon edhe sureja kuranore e shkruar mbi të. Dhe me këmbën e djathtë hyri. Kur u gjend para derës së dhomës së mirë, të pranishmit u ngritën në këmbë, e përshëndetën dhe e drejtuan nga kreu i vendit.

Jo, jo aty,- u hodh usta Jorgji,- nuk më takon mua ai vend. Një pëllëmbë burrë jam. S’keni pse më bëni kaq ndere.

Aty e ke vendin. Ti e di fort mirë se edhe paraja prej floriri e vogël është, por vlerën e ka të madhe,- iu drejtuan buzagaz të pranishmit. Si erdhën të gjithë të ftuarit dhe u rehatuan, nisën përgatitjet për ahengun. Ia nisi kënga dhe vallja. Dhe s’kishte të mbaruar. Usta Jorgji këndonte. Ngrihej dhe në valle. Po këngën e re, që kishte ngritur, nuk po guxonte ta merrte.

Usta Jorgji,- iu drejtua ai që kishte në krah,- kam dëgjuar që ke ngritur një këngë të re. Nuk na e merr që ta dëgjojmë, se ma kanë mburrur?

Unë e marr, po më vjen zor se ajo lidhet edhe me një grindje që pata me tim vëlla, Huanin, dhe u druhem rromuzeve, se jam në lagjen ku shpotitë janë pjesë e sofrave tuaja.

Mos e ki atë merak,- u hodhën të tjerët,- mikun e ruajmë, veten tonë nuk e kursejmë. Dhe usta Jorgji, si e kruajti pak zërin, ia nisi:

‘’Mal më mal do të përpiqem
gjersa të humbas gjëkundi.
Si pervani do të digjem
e do të tretem porsi plumbi.

Seç m’u zemërua burazeri.
Ç’ka me mua që s’do të flasë?
Si t’ia bëj un’ o i mjeri?
Çarje s’iu gjet kësaj sevdasë…

Me atë bukuri që më ke mbi krye,
ashtu më të faltë Perëndia,
si një janar që del mbi yje…
Seç m’i prishe mendt’ e mia!”

Të pranishmit, si e dëgjuan këngën dhe e gjetën të pëlqyer, e pyetën usta Jorgjin:A nuk na thua, ç’pati vërtet burazeri yt që t’u zemërua sa nuk të flet as me gojë?

Ç’pati?! Kur të hyn në mes sevdaja, të prishet edhe kasabaja. Po kjo zemëratë ka për t’i patur ditët si ditët e shkurtit dhe sërish ditët e ftohta të janarit kanë për të dalë mbi yje siç thuhet në këngë.

Bukur na e the, usta Jorgji. Do ta këndojmë edhe një herë së bashku që ta mësojmë. Dhe kështu kaloi kjo natë ahengu. E bukur si kënga.

* Kjo portë e dytë e Pashait, edhe pse sot disa gjurmë i kanë mbetur, gjendet apo s’gjendet e hapur siç thuhet edhe në mbishkrimin e saj?

Është kujtimi i këngës që e mban dhe do ta mbajë hapur në jetë të jetëve.

*Marrë nga “Libri i këngëve” i Agim Mehqemesë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re